Merr rreth 200 telefonata në ditë/ Lidhja e veçantë e Ekrem Hysenit me llapjanët dhe “mesi i artë” mjekësi-politikë

Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, Ekrem Hyseni, ka ndarë detaje nga viti që lamë pas.
Në një intervistë ekskluzive për Indeksonline, Hyseni ka përshkruar arritjet dhe sfidat me të cilat është ballafaquar këtë vit, si në fushën e politikës, ashtu edhe atë të mjekësisë.
Ai ka thënë se gjatë këtij viti ka qenë jashtëzakonisht me angazhime, por përshtypje i ka bërë afrimiteti qe ky vit i ka sjellur me ShBA-në.
“Viti 2022, në pjesën profesionale, ka qenë një vazhdim i punës së kaluar (si mjek), kurse në pjesën e politikës, do të doja të veçoja raportet tona me aleatin kryesor, mikun tonë më të madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, luhatja në raport me ta ka qenë ajo që do të kisha veçuar. Unë mendoj se ne jemi borgjlinj dhe në kulturën tonë popullore e kemi mirënjohjen. Ajo është e mbjellur në popull për Shtetet e Bashkuara të Amerikës” deklaroi Hyseni.
Ai shtoi se atë çka vlerëson më së shumti këtë vit është bashkëpunimi me llapjanët, pranë të cilëve është afër edhe si doktor, por edhe si politikan.
“Këtë vit jam zgjedhur kryetar i Degës së Lidhjes Demokratike në Podujevë dhe kjo ka shtuar aktivitetet e mia këtu. Bashkëpunimi me njerëz të mirë, me këtë popull, me këta qytetarë, si në aspektin politik, ashtu edhe në aspektin profesional, gjithmonë na shërben si një motiv i madh, për arsye se gjithnjë gjejmë njerëz të mirë, njerëz punëtorë, bashkëpunëtorë që na ndreqin ditën dhe na lehtësojnë punën” pohoi ai.
“Kemi kontakte shumë me njerëz… asnjëherë nuk na merzisin, nuk ndodhë ajo. Njëkohësisht, dua të potencoj për herë të parë diçka: puna e telefonatave e përbën një pjesë të madhe të kohës tonë gjatë ditës sepse jo të gjithë kanë mundësi kontaktin direkt, ose kanë pamundësi të lëvizjes, që është pjesë personale. Gjatë ditës, mesatarisht kam deri në 200 telefonata në ditë. Vërtetë e them, me sinqeritetin më të madh, komunikimi me llapjanët, si në pjesën profesionale ashtu edhe politike, është jashtëzakonisht i lehtë. Kur them i lehtë, janë njerëz që kuptojnë dhe mirëkuptojnë, njerëz që degjojnë, që vlerësojnë atë që bën për ta… jo rrallë kemi edhe telefonata gjatë natës, sepse telefonin nuk e ndërprejmë gjatë natës asnjëherë. Këto janë telefonata të hallegjinjve, për halle të mëdha. Nuk telefonon askush në tre të natës nëse do të kishte pasur qoftë edhe një opsion tjetër” pohoi ai mes të tjerash.
Profesioni e bën doktor Hysenin që të ndajë jo rrallë edhe lajme jo të mira me familjarë dhe me pacientë. Megjithatë, kënaqësia e punës dhe kënaqësia e ndarjes se gëzimit bashkë me pacientët dhe familjarët e tyre, për të është e çmueshme.
Mes këtyre angazhimeve, pjesa më e dashur e ditës së tij është ajo që ndan me familjen.
Si baba i tre fëmijëve, Hyseni vlerëson se tërë energjinë pozitive dhe vullnetin e merr nga të vegjlit e tij.
“Unë e kam shumë me qejf muajin dhjetor, për arsye se është një atmosferë festive kudo që shkon. Sheh njerëz që kanë një humor, që festojnë, që gëzohen, e sheh familje që bëhen bashkë. Kemi edhe diasporën që i bashkangjitet familjeve tona dhe sjellin gëzim në familje. Këto e bëjnë dhjetorin më festiv, më të lumtur, një muaj që unë e kam të preferuar, dhe pjesa e festës në familje është një diçka që e shijojmë shumë dhe përgaditjet bëhen shumë më herët” deklaroi ai për Indeksonline.
Përveç se është kryetar i Degës së Lidhjes në Podujevë, Hyseni është edhe anëtar i kryesisë së LDK-së, aty ku ndan shumë eksperienca me të parin e kësaj partie, Lumir Abdixhikun.
Pikërisht për këtë të fundit, Hyseni thotë se raportet më të janë përtej kolegialitetit
“Raportet tona janë parapolitike, domëthënë para se unë të kyçesha në politikë, dhe përveç se janë kolegiale, janë edhe miqësore. Vërtet ndajmë shumë, bashkëbisedojmë shumë dhe ndajmë shumë ide. Ndajmë një raport shumë të mirë” komentoi ai lidhjen e tij me Abdixhikun.
Ndër të tjerash, ai ka komentuar edhe fotografinë e fushatës së Bulliqit, atë që bëri duke përqafuar një lis të moçëm të Podujevës.
“Unë mendoj që gjatë fushatave bëhen veprime të cilat jo gjithnjë që janë të qëlluara. Realisht, unë e vlerëosj shumë atë fotografi. Ka bërë shumë persona me qeshë dhe vazhdon të bëjë persona me qeshë, të paktën në këtë aspekt, i ka kontribuar shumë humorit të njerëzve” tha ai.
Në piedestalin më të lartë, doktor Hyseni ngriti Podujevën në përgjithësi, me lumin Llap e liqenin e Batllavës, energjinë pozitive të qytetarëve, ambientet miqësore të qytetit, rininë e talentuar dhe të edukuar llapjane, që përfaqëson paraardhësit e tyre që shquhen për kontribut në çështje kombëtare dhe të arsimit./Indeksonline/