75 Mall Live Search
15:03 / E Enjte, 30 Maj 2019 / indeksADMonline

“Merri për një kafe”, si shoferi i autobusit tentoi ta mashtroj policin me 10 euro në Merdare

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin ndaj vozitësit B.R të një autobusi të kompanisë “B”.

Në këtë aktgjykim thuhet se i akuzuari-vozitësi në pikëkalimin kufitar me Merdaren kishte tentuar të mashtroi zyrtarin policor.

Kur polici kishte hyrë në autobusin që vinte për në Kosovë për kontrollim të dokumenteve të udhëtarëve, i akuzuari i kishte dhënë dokumentin e tij personal bashkë me 10 euro në të, transmeton Indeksonline.

Zyrtari policor e kishte pyetur se për çfarë janë ato, i akuzuari-vozitësi i kishte drejtuar me fjalët “Merri për një kafe”.

Polici e kishte ndaluar të akuzuarit dhe e kishte raportuar rastin duke njoftuar përgjegjësin e ndërrimit.

Më këtë veprim, vozitësi ka kryer veprën penale “Dhënia e  ryshfetit”, sipas Gjykatës.

Për këtë vepër penale, gjykata sot i ka shqiptuar dënimin me kusht prej tre muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afat prej një viti nuk kryen ndonjë vepër penale tjetër, transmeton Indeksonline.

Ndërsa, i është shqiptuar paushalli gjyqësor prej 30 eurove në afat prej 15 ditësh nga dita e këtij aktgjykimi.

Vozitësi në seancë gjatë deklarimit të tij lidhur me fajësinë kishte deklaruar se këtë e kishte bërë pa vullnet dhe pa presion, duke mos menduar për pasojat.

B.R para trupit gjykues kishte deklaruar se arsyeja pse i kishte ofruar 10 euro policit ishte se vetëm një herë në javë udhëton me kompaninë dhe se në pikat kufitare me shtetet e tjera në Serbi nuk i lejojnë të kalojnë pa dhënë të holla policëve. 

Sipas tij, me mendimin që polici ishte serb e jo shqiptar i kishte ofruar të hollat, pasi që edhe ata e flasin shqipen mirë./Indeksonline/