Merz: Evropa synon të shmangë çdo përshkallëzim me SHBA-në për Grenlandën
Udhëheqësit evropianë po rreshtohen në përgjigje të kërcënimit të Donald Trump për tarifa shtesë, me qëllim detyrimin e shitjes së Grenlandës. Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se Evropa do të kundërpërgjigjet “nëse është e nevojshme”.
Udhëheqësit evropianë po përpiqen të zbusin tensionet me Shtetet e Bashkuara lidhur me të ardhmen e Grenlandës, edhe pse Donald Trump po i shton kërcënimet për vendosjen e tarifave shtesë ndaj tetë vendeve evropiane për të detyruar shitjen e ishullit gjigant.
“NATO-ja i ka thënë Danimarkës për 20 vjet se ‘duhet ta largoni kërcënimin rus nga Grenlanda’. Fatkeqësisht, Danimarka nuk ka qenë në gjendje të bëjë asgjë për këtë. Tani është koha dhe kjo do të bëhet!!!”, shkroi Trump gjatë natës në Truth Social.
Kryeministri britanik Keir Starmer e dënoi përshkallëzimin e Trump-it si “krejtësisht të gabuar” dhe u zotua të gjejë një zgjidhje “pragmatike, të arsyeshme dhe të qëndrueshme” për krizën “serioze”.
“Një luftë tarifore nuk është në interesin e askujt”, tha ai të hënën në mëngjes në një konferencë për shtyp, duke bërë thirrje që “i gjithë vendi të bashkohet”.
Nga Berlini, kancelari gjerman Friedrich Merz bëri thirrje për dialog dhe paralajmëroi se një rritje e papritur e detyrimeve doganore do të dëmtonte të dyja anët e Oqeanit Atlantik.
“Ne duam të shmangim çdo përshkallëzim në këtë mosmarrëveshje, nëse kjo është e mundur”, tha Merz. “Ne thjesht duam të përpiqemi ta zgjidhim këtë problem së bashku dhe qeveria amerikane e di se edhe ne mund të kundërpërgjigjemi. Unë nuk dua ta bëj këtë, por nëse është e nevojshme, sigurisht që do të mbrojmë interesat tona evropiane, si dhe interesat kombëtare gjermane”, shtoi ai.
Takime të shumta, përfshirë mes evropianëve dhe amerikanëve, pritet të zhvillohen në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ku liderët botërorë do të mblidhen këtë javë. Më pas, udhëheqësit e BE-së do të mblidhen në Bruksel për një samit të jashtëzakonshëm. / Burimi: EuroNews

