13:05 / E Premte, 24 Maj 2024 / S Z

Mes kundërshtimeve miratohet Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës

Është mbajtur mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, raporton Ekonomia Online. Në këtë Komision pos tjerash u shqyrtua raporti me amendamente në Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Përkundër kundërshtimeve të deputeteve të opozitës, Komisioni miratoi raportin me amandamente për Projektligjin 08/L-249 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Kryetari Komisionit Adnan Rrustemi ka thënë që në këtë  projektligj është punuar me objektivitet maksimal dhe me diskutim të hapur me secilin që ndërlidhet me ketë gjë.

“E kemi përvetësuar modelin e zgjedhjes së gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese në Komision të posaqëm që përben Kuvendi me përbërje të përfaqësuesve të institucioneve të pavarura që do të kenë përgjegjësinë e selektimit të përzgjedhjes së rekomandimit të seancës së anëtarëve jo prokurorë. E kemi trajtuar me objektivitet maksimal dhe me diskutim të hapur me secilin që ndërlidhet me ketë gjë. Mund të këtë dallime krejtësisht në nuanca mbi modelin e rregullimit por që përpjekja ka qenë e sinqertë për të sjellë një raport me amandamente”, ka thënë Rrustemi.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj ishte kundër që të votohet në  këtë Projektligj. Sipas tij, ky Projektligj ka shumë hapësirë të cenimit të rekomandimeve të komisionit të Venecias.

“Vijmë në situatën që ka një ndërrim drastik sidomos të përbërjes. Qeveria ka propozuar 19 anëtarë të Këshillit Prokurorial. Ju i keni reduktu në 7 që i bjen ndryshim drastik i Qeverisë. Nga ana tjetër unë nuk po them që keni bërë punë të madhe, ndoshta ju keni punu, keni hargju energji, keni punuar po e shoh që unë kam dilemat e mia në çoftë se  janë adresuar sidomos rekomandimet e komisionit të  Venecias. Unë mendoj që ka shumë hapësirë të cenimit të rekomandimeve të komisionit të Venecias. Dhe unë nuk mund të jap votën për këtë. Unë do të votojë kundër”, është shprehur Selmanaj.

Deputeti dhe kryetari i Komisionit, Adnan  Rrusemi ka dhënë sqarime duke theksuar se Kosova mbi bazën e numrit të prokurorëve që ka, e që janë  19  është shumë i lartë. Sipas tij përmes grupit punues si Kuvend si Komision në raport me komision e Venecias jemi kthyer te numri 7.

“Në Projektligjin e parë numri ka qenë i ulët por Gjykata Kushtetuese ka gjetur raportin  e prokurorëve një anëtari që vie nga avokat i popullit. Nuk janë në përputhje me Kushtetutën. Përpjeka e dytë ka qenë përmes rritjes së numrit të anëtareve në Këshillin Prokurorial t’i përgjigjemi kësaj nevoje për sigurimin e pluralizmit por komisioni Veneciaz ka konsideruar mbi bazën e popullsisë së numrit që ka Kosova. Mbi bazën e numrit të prokurorëve që ka Kosova, numri prej 19 anëtareve është shumë i lartë, rrjedhimisht përmes grupit punës si Kuvend si Komision në raport me komisionin e Venecias jemi kthyer tek  numri 7”, ka thënë Rrustemi.

Edhe deputeti i AAK Besnik Tahiri ishte kundër votimit të këtij  Projektligji, ai e vlerëson si të vonuar.

“Konstatim im i parë si Kuvend edhe në këtë rast si Qeveri ne kemi humbur një kohë kogja të gjatë kur është dhënë opinioni i komisionit të Venecias në raport me shkeljet, defektet që ky Ligj  i ka paraparë çështje që duhet me u rregullu. Kemi humb shumë kohë që është parë shumë hapur rritja e numrit me 8 prokurë të cilët nuk janë pjesë e prokurorisë. Ka qenë një tendencë serioze e një politizimi të pavarur kushtetues. Le që nuk po kërkohet me i shtu 8 prokurorë  që s’janë prokurorë anëtarë të prokurorisë po numri përgjithshëm prej 19 po bjen në 7 për mu është një pikëpyetje e madhe pse po ndodh. Me këto probleme nuk mund ta votoj. Edhe vlerësimin është i vonuar”, ka thënë Tahiri.

Mendim të njëjtë ndau edhe deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa i cili tha se nuk e përkrah këtë Projektligj dhe si PDK do ta shohin se a ka elemente për ta dërguar prap në Gjykatën  Kushtetuese.

“Komisioni i Venecias ka parë diçka, rekomandime komente disa ka mundur, ke thënë që kanë mundur me  qëllim të mirë por nuk u pa që ka qenë se po don me një formë me pas nën kontrollë Këshillin Prokurial. Niher me rrit numrin pastaj me zvoglu numrin. Ti kemi 3 prokurorë e 3 jo prokurorë nuk i bën nder Këshillit se na po flasim për prokurorë të të gjitha niveleve. Nuk është e harmonizuar mirë. Si PDK në këtë fazë nuk e përkrahim këtë Ligj. Do ta shohim a ka elemente me dërgu prap në Gjykatën Kushtetuese.  Do ta analizojmë në kuadër të subjektit politik, nuk do ta përkrahim as në Komision as në seancë plenare”, është shprehur Beqa.