Mesazhi i Krasniqit për futbollistët e Kombëtares së Kosovës

Kampioni i botës në kategorinë gjysmë të rëndë, Robin Krasniqi, ka deklaruar se lojtarët e ekipit kombëtar të Kosovës meritojnë shumë respekt dhe se ai do ta mbështesë atë, siç tha, si vëlla dhe si sportist si në fitore dhe në humbje.
Boksieri nga Kosova, Krasniqi, i cili lufton nën flamurin gjerman u shpall Kampion i përkohshëm i Botës në WBA dhe Kampion Bote në IBO në kategorinë gjysmë të rëndë pasi e mundi Dominic Boeselin me një nokaut dërrmues në rundin e tretë të shtunën në Magdeburg.
Në një konferencë shtypi në Prishtinë, Krasniqi u pyet edhe për Kombëtaren e Kosovës, futbollistët e së cilës kanë marrë kritikat të shumta pas një krize në rezultatet e këtij viti.
Kosova e humbi mundësinë për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian 2020 javën e kaluar, pasi e humbi një ndeshje historike kundër shtetit fqinj, Maqedonia Veriore.
E Krasniqi, i cili e di më së miri çfarë do të thotë të dështosh shpesh për ta arritur kulmin në karrierë, u ofroi përkrahje lojtarëve dardanë.
33-vjeçari, i cili i kishte humbur luftërat për kampion bote në vitet 2013 dhe 2015, e jetësoi ëndrrën në tentativën e tretë.
“Edhe vetë i kam përjetuar kritikat. Nuk është e lehtë. Edhe humbjet janë sukses i rëndësishëm në karrierë, ato më kanë bërë të rëndësishëm në karrierë”, tha Krasniqi në një konferencë shtypi, në Prishtinë.
Ai shtoi: “Pa humbje dhe vuajtje nuk bëhesh i fortë dhe i suksesshëm por (futbollistët e Kosovës) ata janë profesionistë dhe kritikat do t’i bëjnë ata të fortë. Nuk është e lehtë të komentosh nga kolltuku. Lojtarët e Kosovës meritojnë shumë respekt dhe unë gjithmonë do t’i mbështes ata në fitore e humbje si vëlla dhe si sportist. Ata na kanë prezantua shumë mirë”.