08:16 / E Enjte, 29 Tetor 2020 / Blerim

Mesazhi në WhatsApp që po mashtron njerëzit: Policia shqiptare, bën thirrje për kujdes

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Policia e Shtetit njofton qytetarët të mos bien pre e një mesazhi që po qarkullon së fundmi në WhatsApp, pasi ka për qëllim vetëm mashtrimin e njerëzve. 

Njësia për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Departamentin e Policisë Kriminale, prej pak kohësh ka hetuar dhe mbikqyrur një fushatë mesazhesh që po i dërgohen njerëzve në telefona. Qëllimi i vetëm është të mashtrojnë ata që vendosin t’i përgjigjen duke i marrë të dhënat bankare dhe paratë.

“Për të sqaruar më mirë opinionin publik, kjo fushatë mashtrimesh, nëpërmjet mesazheve, vjen pas shumë fushatave të tjera të mashtrimeve telefonike që janë shfaqur shumë vite më parë. Një ndër mesazhet më të përhapura muajin e fundit quhet “Mashtrimi i WhatsApp”, i cili ka marrë emrin e tillë pasi shumicën e rasteve dërgohet në këtë aplikacion.”- shkruhet në njoftimin zyrtar, duke shtuar se numri që e dërgon është i huaj dhe teksti i mesazhit është ky më poshtë:

“Urime!! Numri juaj i telefonit është zgjedhur si fitues i shtatëqind mijë dollarëve të Shteteve të Bashkuara (700,000.00USD) në programin e donacionit COVID-19 të WhatsApp 2020. Dërgoni referencën tuaj fituese Nr.WH/US-6463457 në email: info@intldraës për më shumë detaje si të tërhiqni fondet tuaja. Kontaktoni info@intldraës për pyetje të mëtejshme. SHËNONI QË KY ËSHTË NJË TEKST KONFIDENCIAL.”

Nëse ju vendosni t’i përgjigjeni, do t’ju kërkohen të dhëna si emri i plotë, vendi ku banoni, adresa, mosha, gjinia, statusi dhe punësimi.

Çdo detaj që do të dërgohet nga ana e tyre më tej s’është gjë tjetër veçse një strategji për ta bërë edhe më të besueshëm mashtrimin. Organizatori i kësaj skeme mashtrimi, aktualisht është i paidentifikuar, por gjatë kësaj dekade këto lloj mashtrimesh bëjnë pjesë në ato që quhen “Mashtrimet Nigeriane”.

Me pak fjalë, nëse vini re që një(ose më shumë) nga detajet më poshtë mbërrin në WhatsApp-in tuaj, tregoni kujdes dhe injorojeni.

-Mesazhi vjen nga një numër i huaj;

-Çmimi i fituar ka të bëjë me një aktivitet të pakryer nga përfituesi i mesazhit;

– Vlerat e fituara (sipas mesazhit) janë të konsiderueshme;

-Kërkimi i të dhënave personale;

– Kërkimi i të dhënave bankare;

-Kërkimi i dokumenteve të identifikimit ose dokumenteve të tjera personale, etj;