75 Mall Live Search
14:10 / E Enjte, 20 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Mësimdhënësit e viteve të 90-ta do të gëzohen bashkë me festat e fundvitit

Ndonëse kanë kaluar disa muaj nga propozimi, Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, ende nuk ka arritur që të hyj në rendin e ditës së seancave plenare të Kuvendit të Kosovës.

Madje, Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës kishte paralajmëruar se deri në tetor të këtij viti nuk jetësohet ky ligj, do të hyjnë në grevë, shkruan Indeksonline.

Nënkryetarja e parë e komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Teuta Haxhiu në një prononcim për Indeksonline ka shprehur besimin se 2018-ta është viti i këtij ligji.

“Projektligji për mësimdhënësit e viteve të ’90-ta ka kaluar në të gjitha komisionet e mëhershme, njëkohësisht i është kthyer komisionit tonë dhe ne prapë e kemi votuar përmes një votimi formal. Kështu kemi kërkuar nga Kryesia e Kuvendi ta fus në rend dite për votim në lexim të dytë që nënkupton hyrjen menjëherë në fuqi pas votimit të dytë 15 ditë pas shpalljes në gazetën zyrtare”, ka thënë Haxhiu.

Ajo është shprehur optimiste se festat e fundvitit do të gjejnë Kosovës me Ligj për mësimdhënësit e viteve të ’90-ta.

“Besoj shumë dhe uroj që ky të na vije para festave të fundvitit dhe të jetësohet qysh në janar. Kam bërë apel dhe apeloj prapë te Kryesia e Kuvendit që ta shqyrtoj me urgjencë këtë projektligj, meqë kemi kërkuar pesë vite rresht nga qeveria që ky ligj të na vij, i cili është sjell nga qeveria pas një kohëzgjatje shumë të madhe, prandaj uroj që të na vije para festave. Lus Kryesinë të trajtoj me prioritet këtë projektligj me nevojë që të përmbyllim këtë kërkesë të vazhdueshme të Kuvendit të Kosovës”, ka përfunduar Haxhiu.

Kujtojmë se Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë po kërkon që Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip në vitet 1990-91 e deri në vitin 1998-99 të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për lexim të dytë dhe të votohet, duke kërkuar po ashtu e dhe ndryshimin e Projektligji për Pagat.
Si dhe duhet përkujtuar që Ligji për mësimdhënësit e viteve të 90-ta ka kohë që është duke u zvarritur përderisa shpesh herë pati edhe ndërprerje të mësimit në shkolla të Kosovës nga paralajmërimet e Sindikatës për Arsim, Shkenca dhe Kulturë për plotësimin e kërkesave të tyre./Indeksonline/