75 Mall Live Search
12:12 / E Premte, 28 Gusht 2020 / indeksADMonline

Mësimi në shkollat ​​serbe, në Kosovë, nis më 1 shtator

Shefja e administrimit të shkollave të Ministrisë së Arsimit të Serbisë për Kosovën Jasmina Dediq, ka thënë se viti i ri shkollor në zonat e banuara me serbë në Kosovë do të nisë më 1 shtator dhe se gjithçka është gati për fillimin e misimit.

“Gjithçka do të varet akoma nga situata epidemiologjike në terren jo vetëm në Kosovë, por edhe në vetë shkollat. Në çdo rast, mësimi online me siguri do të nisë më 1 shtator, ne do të shohim nëse klasat do të kombinohen dhe si do të shkojë”, tha ajo për portalin Kosovo Online.

Ajo shtoi se drejtorët e shkollave morën udhëzime nga ministri i Arsimit të Serbisë, Mladen Sharçeviq, që ata të mund të tregojnë autonomi në organizimin e mësimdhënies në shkollat ​​e tyre dhe se do të veprojnë në përputhje me rrethanat.

“Në shkolla, kryesisht gjithçka është gati për fillimin e orëve të mësimit, në disa enklava, në jug të lumit Ibër, shpërndarja e dezinfektuesve është në proces dhe kjo do të zgjidhet gjatë fundjavës”, shtoi Dediqi.

Mësimi në shkollat serbe në vendin tonë pritet të nisë,  pavarësisht vendimit të djeshëm të autoriteteve kosovare që për shkak të gjendjes me pandeminë e COVID-19 fillimi i vitit të ri shkollor 2020-2021 të shtyhet  për 14 shtator.