Mësohet data se kur pritet të hapet Pishina e Gërmisë

Pas një pritjeje të zgjatur për shkak të kushteve klimatike, Pishina e Gërmisë do të hapet zyrtarisht më 8 korrik 2025, ka njoftuar ndërmarrja publike “Sport Marketing” SH.A., përmes një postimi në Facebook.
Hapja e sezonit të pishinës këtë vit ka ardhur me disa javë vonesë, si pasojë e mungesës së ujit në burimet natyrore të Gërmisë.
“Ju informojmë se për shkak të mungesës së theksuar të ujit në burimet e Gërmisë, si pasojë e thatësisë së madhe, është shkaktuar një vonesë në hapjen e Pishinës së Gërmisë. Bazuar në planifikimin kohor dhe sasinë aktuale të ujit, ju njoftojmë se Pishina do të hapet për qytetarët më datën 08 korrik 2025. Ju falënderojmë për mirëkuptimin tuaj”, thuhet në postim.
Kompania publike ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe thekson se përgatitjet janë në fazën përfundimtare për të ofruar kushte të sigurta dhe relaksuese për të gjithë vizitorët./Indeksonline/