15:34 / E Shtunë, 03 Mars 2018 / indeksADMonline

Mësohet vlera e pajisjes për fëmijët që mori QKMF-ja në Prishtinë

Me ndihmën e Klubit të Rotarianëve Prishtina, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë është pajisur me aparatin e ultrazërit për kontrollimin e ijëve të foshnjat e porsalindura.

Me këtë pajisje do të jetë më e lehtë që sa më herët të identifikohen problemet nëse kanë me ije fëmijët që lindin në mënyrë që trajtimi të jetë më i lehtë dhe më i pak i kushtueshëm.

Pajisja ka kushtuar 9 mijë e 200 euro dhe është siguruar nga paratë e mbledhura nga Rotary Club Prishtina në një gala mbrëmje të organizuar.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, e ka quajtur këtë donacion edhe një mundësi më shumë për fëmijët dhe prindërit, pasi zbulimi i hershëm i kësaj sëmundje do të thotë trajtim më i lehtë dhe më pak i kushtueshëm.

“Ne sot kemi pranuar prej Rotari Klub Prishtina i cili bënë ekzaminimin e kukave, apo ijëve e cila sigurisht në bazë të deklaratës së motrës këtu që kemi janë me së 15 për qind të rasteve prezente tek lindjet në Kosovë që është një nivel shumë i madh. Ne sado pak t’iu ofrojmë një mundësi më shumë, mirëpo ne ju kemi mundësuar një trajtim të shpejtë, një ekzaminim të shpejt të asaj diagnoze dhe sigurisht do të ketë impakt edhe tek fëmijët por edhe tek prindërit. Pasi sa më herët që vërehet, sa më herët evidentohet kjo sëmundje tek fëmijët është më e lehtë për shërim dhe për gjendjen ekonomike të familjes. Sa më vonë është më vështirë të trajtohet dhe kostoja më e madhe”, tha Pacolli.

Falënderuese për këtë ndihmë është shprehur edhe drejtoresha e Qendrës kryesore të Mjekësisë Familjare, Sadete Hadri. Ajo tha se tani me këtë aparaturë të teknologjisë së fundit do të mundësohet që të bëhet diagnostifikimi i hershëm i kësaj sëmundje, e cila është mjaftë e shpeshtë tek foshnjat e porsalindura në Kosovë.

“Falënderoj gjithë pjesëtarët e Rotari Club që na kanë mundësuar neve në QKMF që të kemi një aparaturë të tillë me të cilën do të diagnostifikohet sëmundja, një patologji e cila është mjaftë e shpeshtë në Kosovë dhe varet plotësisht prognoza e kësaj patologjie prej momentit se kur diagnostifikohet. Prandaj është me rëndësi që të diagnostifikohet sa më herët në mënyrë që të ketë edhe shërim të plotë. Prandaj thash se një investim i tillë është investim shumë i rëndësishëm sepse investimi në fëmijë do të thotë investim në të ardhmen tonë”, tha Hadri.

Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Arben Vitia, me kërkesën e të cilit është bërë ky donacion, ka përmendur dy dimensioni që ka ky investim.

“Është një donacion i cili në vetvete ka dy dimensione të investimit në të ardhmen. Është ajo se zbulimet e hershme tek fëmijët parandalojnë defekte dhe probleme të cilat mund të jenë shumë problematike nëse nuk intervenojmë tani. Por në të njëjtën kohë ka edhe dimensionin tjetër që ky donacion promovon një vlerë në kuptimin e solidaritetit, përgjegjësie qytetare e cila dorën në zemër duhet të jenë edhe vlerat që duhet t’i ketë shoqëria jonë në të ardhmen”, theksoi Vitias.

Vitia përmendur se ka disa vite që janë bërë ekzaminime të tilla, por me një aparaturë të një natyre tjetër të vjetruar që nuk i ka plotësuar standardet. Madje, për ta përdorur këtë aparaturë janë trajnuar dy mjeke.

Ndërsa, kryetari i Klubit të Rotarianëve Prishtina, Mërgim Prishtina, u shpreh i lumtur që kanë arritur t’i sigurojnë mjetet për dhurimin e këtij aparati të teknologjisë së fundit.

“Sot është një moment i veçantë pasi po e dërgojmë në vend një mision e Rotari të gjithë botës në vend. Ne si Rotary kemi si mision mbledhjen e njerëzve të ndryshëm në shërbim të komunitetit. Iniciativa ka filluar pasi ka qenë kërkesë nga drejtori Arben Vitia dhe ne kemi marrë iniciativën ku kemi organizuar një gala mbrëmje dhe falënderoj gjithë kontribuuesit që kjo iniciativë të jetësohet me këtë instrument”, u shpreh Prishtina.

Prishtina u shpreh i gatshëm përsëri të bashkëpunoj me Komunën e Prishtinës, duke thënë se tash po e presin listën e re nga kjo Komunë.