Messi i fton dy klube të Premierligës në turneun “Messi Cup”

Lionel Messi ka njoftuar një turne të ri të quajtur Messi Cup, një kompeticion që do të përfshijë tetë klube nga e gjithë bota – përfshirë Barcelonën, Chelsean dhe Atletico Madridin.
Ka qenë një muaj i ngarkuar për tetë herë fituesin e Topit të Artë, i cili përzgjodhi personalisht 10 yje të ardhshëm si pjesë e një fushate reklamuese të “Adidas”.
Mes tyre, Messi zgjodhi lojtarin e Liverpoolit, Rio Ngumoha, së bashku me Nico Paz, Kendry Paez, Andrey Santos, Rodrigo Mora, Brajan Gruda, Kader Meïte, Mika Godts, Lily Yohannes dhe Clara Serrajordi. Argentinasi duket se ka një njohuri të veçantë për “wonderkids”.
Të martën, ai u dha disa prej perspektivave më të ndritura të futbollit një platformë për të treguar aftësitë e tyre duke njoftuar edicionin e parë të “Messi Cup”, një turne ndërkombëtar që do të zhvillohet në dhjetor.
Duke shkruar në Instagram, Messi tha: “I emocionuar që më në fund mund ta ndaj me ju — këtë dhjetor, Miami do të presë një turne shumë të veçantë të futbollit për të rinjtë, me disa nga klubet më të mira nga e gjithë bota. E ardhmja e futbollit do të jetë e ekspozuar plotësisht, dhe nuk janë vetëm ndeshjet — kemi planifikuar disa ditë fantastike me aktivitete të tjera emocionuese. Kjo ka të bëjë me gjeneratën e ardhshme. Shpresoj t’ju pëlqejë! Kjo është #MessiCup.”
“Messi Cup”, i organizuar nga 525 Rosario – kompania prodhuese e themeluar nga Messi – është përshkruar si një kompeticion “revolucionar” i futbollit për të rinjtë.
Në total, tetë ekipe të rinjsh do të marrin pjesë në turneun për nën-16 vjeçarë, përfshirë Barcelonën, River Plate, Inter Milan, Newell’s Old Boys, Atletico Madrid, Chelsea dhe Manchester City.
Kompeticioni do të ketë dy grupe me nga katër ekipe, secili duke luajtur në formatin “round-robin” gjatë tri ditëve të para.
Ekipet më të mira do të kalojnë në fazën e play-offit, që do të përcaktojë renditjet përfundimtare.
Dita e fundit do të përfshijë ndeshjen për vendin e tretë dhe finalen, të dyja të zhvilluara në stadiumin Chase të Inter Miamit në Fort Lauderdale.
Tim Pastore, CEO i 525 Rosario, e ka përshkruar këtë kompeticion si “një mundësi për të festuar talentin, kulturën dhe komunitetin, duke krijuar trashëgimi dhe lidhje që do të zgjasin përtej fushës së lojës.”
Ai shtoi: “Messi Cup është pika e takimit midis futbollit të sotëm dhe lojtarëve të së nesërmes.”