Messi ka disa fjalë edhe për Icardin
Lionel Messi u rikthye të luajë për përfaqësuesen argjentinase, ndërsa dha edhe një intervistë për median e njohur të atdheut të tij, Tyc Sport.
“Pleshti” u pyet mbi disa deklarata të Mauro Icardit, që ishte shprehur në një grumbullim të shtatorit se më në fund në përfaqësuese ishte rikthyer qetësia dhe atmosfera e duhur.
“Me të kam luajtur disa ndeshje. Nuk e di çfarë i ka ndodhur që ka thënë se ka pasur probleme në Kombëtare më herët. Asnjëherë, askush nuk është trajtuar keq në dhomat e zhveshjes”, tha Messi.
Më pas argjentinasi bëri edhe një listë me lojtarët më të mirë në botë sipas tij dhe nuk ngurroi të flasë për rivalin e tij më të madh, Cristiano Ronaldon, i cili e la vetëm këtë sezon në kampionatin spanjoll.
“Nëse më duhet të them emrat e disa futbollistëve më të mëdhenj të momentit, do të veçoja Neymar, Mbappe, Suarez dhe Aguero. Ronaldon e vë në një tjetër nivel, bashkë me mua. Duhet ta pranoj se më mungon rivaliteti me të në Spanjë. Nuk e di a do të takohemi në finale, pasi më parë shpresoj të shkojmë deri aty”, deklaroi argjentinasi.