16:53 / E Mërkurë, 14 Gusht 2019 / indeksADMonline

Messi nuk harron, spanjollët zbulojnë arsyen pse nuk i flet Griezmann-it

Transferimi i francezit Antonio Griezmann nga Atletico Madridi tek Barcelona bëri bujë të madhe.

Por, pas zbarkimit të tij në “Camp Nou”, ai mbeti i shtangur kur nuk gjeti pritjen e ngrohtë të Lionel Messit dhe kjo më pas edhe u dëshmua nga sjelljet jo ë mira të argjentinasit në ndeshjet parasezonale. Në fakt ishte vetë Griezmann ai i cili hapur e pranoi se nuk ka pranuar asnjë mesazh mirëseardhje nga numri 10, për dallim nga pjesa tjetër e skuadrës.

Tani, duket se mediet spanjolle e kanë zbuluar shkakun që qëndron prapa këtij qëndrimi të akullt të Leo Messit.

Në fakt, raportohet se Messi nuk ia ka falur e aq më pak harruar atë që Griezmann ia kishte thënë atij gjatë një ballafaqimi mes Atletico Madridit dhe Barcelonës para dy viteve. Në një rast kur Messi fitoi një faul, Griezmann nuk u pajtua me simulimin e tij dhe kishte lëshuar fjalët: “Ky kurrë nuk do bëhet njeri”.

Ky reagim i francezit kishte rënë qartazi në veshin e Messit dhe duket se e ka përjetuar rëndë. Madje, tani raportohet se kjo edhe është arsyeja kryesore pse Leo po bën presion tek drejtuesit e klubit për rikthimin e Neymarit duke e shtyrë Griezmannin drejt qëndrimit në bankën e rezervistëve.