10:26 / E Mërkurë, 08 Korrik 2020 / indeksADMonline

Meta: 21 vjet nga vrasja e pabesë e vëllezërve të batalionit “Atlantiku”, ende s’ka drejtësi

Çdo 8 korrik, kombi shqiptar nderon me respekt e mirënjohje kujtimin, veprën dhe sakrificën sublime të dëshmorëve të batalionit “Atlantiku”, vëllezërve Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyçi, nderin e historisë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe krenarinë e komunitetit shqiptaro-amerikan.

Ja çfarë shkruajnë gazetat për sot, e mërkurë 8 korrik 2020

Ndonëse kanë kaluar 21 vjet nga vrasja e pabesë e tyre, fatkeqësisht ende nuk ka përparim për ndriçimin e këtij krimi monstruoz! Vënia e drejtësisë pa pengesa dhe zvarritje do të lehtësojë jo vetëm dhimbjen e madhe të familjes së dashur Bytyçi, por do të japë një kontribut të çmuar për më shumë paqe, siguri dhe demokraci në rajonin tonë.

Vëllezërit Bytyçi me shembullin e jashtëzakonshëm të sakrifikimit më sublim në emër të atdhedashurisë dhe idealeve më të larta njerëzore, që sollën Kosovën e lirë e të pavarur, do t’i frymëzojnë dhe edukojnë përherë gjeneratat e reja. Sepse liria dhe pavarësia nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë.

Mirënjohje diasporës sonë në SHBA për kontributin e shkëlqyer të dhënë për çlirimin e Kosovës dhe për çështjen shqiptare ndër dekada, duke ndërtuar ura bashkëpunimi mes dy popujve dhe vendeve tona, për ruajtjen e traditave dhe zhvillimin e lidhjeve të forta që ekzistojnë mes amerikanëve dhe shqiptarëve.

Lavdi të përjetshme Dëshmorëve të luftës heroike të popullit të Kosovës, si dhe të mbarë kombit tonë!