75 Mall Live Search
09:37 / E Diele, 24 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Meta dekoron luftëtarin që organizoi qëndresën anti-fashiste, Mujo Ulqinakun me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”

Presidenti Ilir Meta i ka akorduar Mujo Ulqinakut, “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë kreu i shtetit i cili shkruan se askush më shumë se Mujo Ulqinaku nuk e meriton këtë Dekoratë me rastin e 75-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë.

Teksa ka nderuar Mujo Ulqinakut, Meta dërgon edhe një mesazh politik teksa thotë se “shqiptarët e thjeshtë shpesh kanë bërë atë që udhëheqësit tanë duhet të bënin të parët!”.

“Është nderi dhe privilegji im si President i Republikës, t’i akordoj një oficeri të thjeshtë si Mujo Ulqinaku, Dekoratën më të lartë që ekziston sot në Republikën e Shqipërisë, me motivacionin

“Për heroizmin, trimërinë dhe sakrificën më sublime në mbrojtje të sovranitetit territorial të atdheut, lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë, si shembull monumental i patriotizmit dhe atdhedashurisë, si simbol i mbrojtjes së dinjitetit kombëtar, si model i ushtarakut që i qëndron deri në fund betimit para Flamurit Kombëtar”.

Kush më shumë se Mujo Ulqinaku, simboli i rezistencës kundër pushtimit fashist, e meriton këtë Dekoratë me rastin e 75-vjetorit të Çlirimit të Atdheut.

Shumë vende të tjera në Europë ndihen të turpëruara se nuk bënë asnjë rezistencë ndaj pushtimit Nazifashist. Ne shqiptarët jemi krenarë se kemi historinë e lavdishme të Heroit tonë të parë të rezistencës antifashiste, Mujo Ulqinakut, që bashkë me disa shqiptarë të vërtetë, edhe pse të braktisur, i treguan mbarë botës se dinjiteti kombëtar dhe besnikëria ndaj Flamurit Kombëtar janë më të rëndësishme se jeta pa dinjitet dhe pa liri.

Shqiptarët e thjeshtë shpesh kanë bërë atë që udhëheqësit tanë duhet të bënin të parët!”, shkruan Meta.

Mujo Ulqinaku ishte njëri ndër luftëtarët e parë më të shquar, i cili me 9 prill të vitit 1939 organizoi qëndresë të  armatosur kundër pushtimit fashist italian.