Meta: Shqiptarët do ta kujtojnë Chirac-un për angazhimin ndaj Kosovës
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta në moshën 86-vjeçare të ish-presidentit francez, Jacques Chirac.
Meta thotë se shqiptarët do ta kujtojnë përherë me nderim për angazhimin personal në radhitjen e Francës përkrah aleatëve për t’i dhënë fund gjenocidit në Kosovë.
“Ngushëllime të ndjera familjes, miqve dhe të gjithë popullit francez për këtë humbje”, shkruan Meta në Twitter.
Politikani djathtist më i pëlqyer i vendit që drejtoi dy herë shtetin në vitet 1995-2007, si edhe Kryeministrinë dhe Parisin për 18 vjet, vuante prej kohësh nga sëmundjet e moshës dhe ishte tërhequr nga skena publike.