Meta: S’ka amnisti për dhunuesit e grave
Presidenti Ilir Meta thotë se nuk do të ketë amnisti për dhunën ndaj grave. Teksa pritet të bëhet amnistia e përvitshme nga Presidenti i Republikës, për të dënuarit për krime të lehta, kreu i Shtetit ka vendosur të përjashtojë nga kjo amnisti personat e dënuar për dhunën ndaj grave.
Reagimi i plotë i Metës:
Dhuna fizike e verbale ndaj grave dhe vajzave është dobësi! Nuk është burrëri! Është një plagë e shenjë turpi për shoqërinë, një pengesë e madhe për zhvillimin gjithëpërfshirës, të barabartë dhe të qëndrueshëm.
Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave i bashkohem fushatës botërore “Ta ngjyrosim botën portokalli” duke i dhënë sot në mbrëmje këtë ngjyrë Institucionit të Presidencës.
Përsëris qëndrimin tim të palëkundur për të mos amnistuar asnjë të dënuar për vepra penale të dhunës në familje.