07:53 / E Shtunë, 01 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Meteorologët paralajmërojnë dimër të ashpër: I ftohti Arktik po vjen

Meteorologët japin alarmin, për sa i përket uljes drastike të temperaturave përgjatë ditëve të ardhshme në Europë.

Ata parashikojnë që në Britaninë e Madhe do të bëjë dimri më i egër që ka bërë në 70 vitet e fundit.

Sipas tyre, në Britaninë e Madhe rryma e ajrit që vjen nga Arktiku pritet të kalojë përgjatë shtetit dhe të zgjasë me javë të tëra. Kjo do të shkaktojë reshje të shumta të borës e stuhi të panumërta. Periudha e borës së madhe pritet të fillojë nga java tjetër e deri në mesin e dhjetorit.

Ndryshe, në Kosovë  kjo fundjavë do të ketë vranësira dhe diell, pa reshje. Temperaturat në rritje.

Në ditët e fundjavës, rajoni ynë mbetet nën ndikimin e fushave anticiklonike që janë shtrirë në lindje të kontinentit, ndërkohë që masat e ftohta të ajrit do të tërhiqen në verilindje, e do të zëvendësohen me masa më të ngrohta ajrore që po vijnë nga Mesdheu.

Në përgjithësi, pritet të mbajë mot stabil, me vranësira dhe diell, por pa të reshura, derisa temperaturat do të shënojnë rritje mbi vlera mesatare.

Ditëve në vijim, sipas parashikimeve, nuk parashihet të ketë qarkullim të mjaftueshëm ajror, e si rrjedhojë pritet përkeqësim i cilësisë së ajrit, derisa vlerat e indeksit të kualitetit të ajrit do të kalojnë edhe në vlera të pashëndetshme.

1.12 – Mot kryesisht me vranësira, jo edhe shumë ftohtë.

2.12 – Gjatë ditës mot kryesisht me diell, në mbrëmje vranësirat do të shtohen.

3.12-4.12 – Mot kryesisht me vranësira dhe intervale me diell. Të martën pasdite dhe në mbrëmje priten riga lokale shiu.

5.12 – Mot kryesisht me diell.

Temperaturat e ajrit, do të shënojnë rritje të theksuar, edhe mbi vlera mesatare. Minimalet do të rriten nga -4C deri në +2C, ndërsa maksimalet do të luhaten nga 5C deri në 9C.

Do të fryjë erë e lehtë nga juglindja dhe jugu 1-3m/s. Shtypja atmosferike, mbetet lartë mbi vlera normale.

 

Temat: