17:14 / E Martë, 01 Dhjetor 2020 / A. A

Mezani tregon arsyet që e quan deri te dorëheqja nga Gjilani

Gentjan Mezani, të martën i dha fund qëndrimit gati 2 vjeçar si kryetrajner i Gjilanit, pasi dha dorëheqje nga posti.

Trajneri vlonjat ka folur për arsyet që e kanë shtyrë të marrë këtë vendim.

“Një nga arsyet që unë u largova, këtë dua ta theksojë sepse po spekulohet me këto gjëra. Nuk ka qenë vendim i klubit por ka qenë vendim i imi personal që dhashë dorëheqje. Biles e kam kërkuar edhe më përpara, në momentin kur kam qenë një muaj larg. Mendoj dhe dëshirojë shumë që disa gjëra të ndryshojnë në klub, për të mirën e klubit, për të mirën e ecurisë për të ndryshuar pak atë frymën se ndoshta kishte nevojë. Ajo ka qenë arsyeja primare për dorëheqjen time. Pastaj një arsye tjetër ka qenë lodhja e madhe midis njerëzve, pashë një dëshirë jo shumë të mirë për të më pasur aty, një opinion i gabuar dhe jo i pëlqyer nga analistët nga kolegët e mi që po flisnin dhe spekulonin për shumë gjëra. Pra, u bënë të gjitha gjërat bashkë dhe mendova që për të mirën e klubit të merrja këtë vendim” deklaroi Mezani për Indeksonline.

41 vjeçari ka falënderuar presidentin Florim Zuka, të cilin cilin e quan “unik”.

“Në Gjilan kam pasur gjithçka në dorë. Dua ta falënderoj presidentin dhe po ju them me bindje të plotë që është unik në veten e tij. Më ka lënë të punoj, më ka dhënë një besim shumë të madh. E vetmja përgjegjësi që unë kam pasur ka qenë besimi që ka pasur në mua sepse asnjëherë nuk më ka kërkuar rezultat por angazhim të madh” shprehet Mezani.

Klubi i Gjilanit ka bërë të ditur që postin e trajnerit do ta marrë Sallah Sherifi, deri në fund të edicionit vjeshtor.

/Indeksonline/