75 Mall Live Search
15:40 / E Mërkurë, 02 Korrik 2025 / MSH

MFPT-ja miraton udhëzuesin për shtesat për fëmijë dhe lehona

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka miratuar udhëzuesin rreth zbatimit të shtesave për fëmijë dhe lehona.

Në udhëzuesin e përditësuar përfshihen informacionet e nevojshme për shtesat për fëmijë, aplikimin, llojet e familjeve përfituese dhe situatat specifike.

Ministria gjithashtu theksoi edhe dokumentet që duhet poseduar për procedurat e aplikimit për shtesa.

 “Në rast të mospërmbushjes së dokumentacionit, mund të ndodhë pezullimi i përkohshëm i përfitimit deri në përmbushjen e kërkesave apo ndërprerja e përfitimit në rast se rezidenca e përfituesit nuk verifikohet” thuhet në njoftimin e MFPT-së.

Ky është njoftimi i plotë:

Shtesat për fëmijë

Të gjithë fëmijët nga mosha 0 deri në 16 vjeç që janë rezident në Kosovë kanë të drejtë në përfitim nga shtesat për fëmijë

Familjet me 1 ose 2 fëmijë – përfitojnë 20€ në muaj për secilin fëmijë

Familjet me 3 ose më shumë fëmijë – përfitojnë 30€ në muaj për secilin fëmijë

Aplikimi bëhet nga nëna e fëmijës përmes platformës eKosova, dhe mjetet kalojnë në llogarinë e saj bankare.

Në rastet kur nëna ka ndërruar jetë apo nuk është shtetase e Kosovës, babai ose kujdestari ligjor mund të aplikojë me dokumentacionin përkatës.

Në situata specifike si:

Prindër të divorcuar

Nëna ka braktisur fëmijën

Kujdestaria i është dhënë babait me vendim gjykate apo nga QPS – aplikimi bëhet nga babai në rolin e kujdestarit ligjor.

Në rastet kur fëmija është në strehim rezidencial, atëherë aplikimi bëhet nga entiteti strehues përkatësisht punonjësi i autorizuar nga entiteti i cili hap një llogari bankare për fëmijën ku depozitohen mjetet e shtesave për fëmijë.

Shtesat për lehona

Të drejtë për përfitim kanë të gjitha lehonat rezidente në Kosovë:

Lehonat e papuna – përfitojnë 325.9€ në muaj për 6 muaj me radhë, nëse kanë qenë të papuna për së paku 9 muaj nga 12 muajt e fundit para lindjes (sipas të dhënave të ATK).

Lehonat e punësuara – përfitojnë 325.9€ për 3 muaj me radhë.

Aplikimi bëhet brenda 90 ditëve nga data e lindjes së fëmijës.

Verifikimi i plotësimit të kritereve për përfitim

Nëse fëmija është i lindur në Kosovë dhe aplikimi për shtesa bëhet brenda 3 muajve nga lindja, përfitimi miratohet automatikisht pa pasur nevojë për verifikim shtesë.

Ndërsa në rastet kur fëmija është i lindur jashtë Kosovës, apo kur aplikimi bëhet pas 3 muajve, atëherë lënda kalon në procedurë të verifikimit, ku kërkohen dokumente plotësuese për të vlerësuar të drejtën në përfitim.

Departamenti i Skemave Sociale (DSS) ka të drejtë të kërkojë dokumentacion për verifikim të kritereve:

Certifikatë të vendbanimit

Dëshmi nga shkolla për vijim të rregullt

Dëshmi vaksinimi nga institucionet shëndetësore

Faturë të rrymës

Regjistrim të bashkësisë familjare në ASK, etj.

Në rast të mospërmbushjes së dokumentacionit, mund të ndodhë pezullimi i përkohshëm i përfitimit deri në përmbushjen e kërkesave apo ndërprerja e përfitimit në rast se rezidenca e përfituesit nuk verifikohet.

Nëse ndodh pezullimi apo ndërprerja e përfitimit pa një vendim të arsyetuar, përfituesi ka të drejtë të dërgojë ankesë në Komisionin e Ankesave brenda 30 ditëve nga pranimi i vendimit.

Për më shumë informata për mënyrën e aplikimit, procedurën e verifikimit apo kriteret që duhet të plotësoni  për të përfituar nga shtesat për fëmijë dhe lehona, ju lutem vizitoni vegëzën në vijim: https://mfpt.rks-gov.net/…/6a0302bd-eec7-4525-8e17…