MGK flet për ndarjen nga Megan Fox

Machine Gun Kelly ka folur për herë të parë hapur mbi ndarjen e tij nga Megan Fox, duke e trajtuar historinë e tyre të ndërlikuar në këngën e re “Treading Water” nga albumi “Lost Americana”.
Në vargjet e saj, ai shpreh pendesë të thellë, pranon se ka pasur gabime që e shkatërruan marrëdhënien dhe premton të ndryshojë, veçanërisht për të mirën e vajzës së tyre të sapolindur, Saga Blade Fox-Baker, e cila erdhi në jetë në fillim të vitit 2025.
Në këngë, MGK përmend hapur elementë si tradhtia dhe problemet e akumuluara që çuan drejt ndarjes, duke thënë se “gjithçka e fshehur del në pah”.
Ai ka treguar se ky krijim muzikor lindi gjatë qëndrimit të tij në një qendër rehabilitimi nga fundi i nëntorit deri në fillim të janarit, një periudhë që e kaloi i izoluar, duke reflektuar mbi jetën, gabimet dhe vendimet e tij.
Artisti e përshkruan marrëdhënien me Fox si një romancë të zjarrtë, por të mbushur me ulje-ngritje dhe me një atmosferë të rënduar nga thashethemet, presioni mediatik dhe supozimet publike.
As ai dhe as Fox nuk kanë dhënë ndonjëherë një version të plotë për ndarjen, duke lënë shumë pikëpyetje në sytë e publikut, ndërsa muzika e tij duket se po shërben si një dritare e parë për të kuptuar të vërtetën e tij personale.
Ylli i famshëm lë të kuptohet se pavarësisht dhimbjes dhe gabimeve, lidhja e tyre do të mbetet gjithmonë e veçantë për shkak të kujtimeve dhe faktit se tani ndajnë përgjegjësinë më të madhe, prindërimin e vajzës së tyre.