17:01 / E Mërkurë, 12 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

MI apelon te bashkatdhetarët: Kujdes me cilën kompani vini në Kosovë!

Ministria e Infrastrukturës ka bërë një apel për qytetarët që po planifikojnë të udhëtojnë drejt Kosovës për fundvit.

Në një komunikatë për media, MI ka bërë thirrje që të shqyrtojnë me kujdes ofertat që i marrin përmes rrjeteve sociale, transmeton Indeksonline.

Ky reagim vije pasi mbrëmë u raportua se Policia e Zvicrës, nëpërmjet një komunikate për qytetarët e këtij vendi, ka dalur me një paralajmërim që lidhet me udhëtime në Kosovë.

Policia e kantonit të Cyrihut ka dalë me një tërheqje të vërejtjes për të gjithë ata që pushimet dimërore mendojnë t’i kalojnë në Kosovë.

Më poshtë njoftimi i MI-së:

Jemi në prag të festave të fundvitit kur bashkatdhetarët planifikojnë të udhëtojnë drejt Kosovës, dhe qytetarë të shumtë nga këtu marrin rrugë për në vendet e tjera. Prandaj, me qëllim të evitimit të çfarëdo mashtrimi të mundshëm nga aviokompani të rrejshme, kërkojmë që të jeni vigjilent në rezervimin e biletave.

Luteni që të shqyrtoni me kujdes ofertat e mundshme që mund t’i pranoni përmes rrjeteve sociale apo në forma të tjera dhe t’u drejtoheni vetëm kompanive serioze që operojnë në linjat që ju nevojiten.

Mbetemi në dispozicionin tuaj që të paraqitni kompani të tilla që synojnë mashtrimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës. /Indeksonline/