19:39 / E Enjte, 20 Janar 2022 / Medina Shala

Microsoft blen Activision Blizzard, kthehet në gjigant të lojërave elektronike

Activision Blizzard mund mos t’i thotë shumë opinionit të gjerë publik.

Por, kur sqarohet fakti se është shtëpia prodhuese e titujve kryesore të tipit “shooter” si  Call of Duty, strategjie si Diablo dhe Warcraft ose protagonist të celularëve si Candy Crush, atëherë blerja e fundit e Microsoft merr një dimension të rëndësishëm në botën e lojërave elektronike.

Gjiganti i teknologjisë ka zyrtarizuar blerjen e Activion Blizzard për një shumë të madhe, rreth 69 miliardë dollarë.

Në detaj, Microsoft do të paguajë nga 95 dollarë çdo aksion të shoqërisë së themeluar në vitet ’90 në Santa Monika të Kalifornisë, duke e bërë pjesë të divizionit Microsoft Gaming.

Kjo do ta shndërrojë në kompaninë e tretë më të madhe në botë pas Tencent dhe Sony në këtë fushë, një nga më të leverdishmet e gjithë sektorit teknologjik.

Kompania e themeluar nga Bobby Kotick, falë projekteve të ndryshme të suksesshme, ka patur të ardhura të majme, pothuajse 8 miliardë dollarë në vitin 2020.

Megjithatë, kompania ka pasur edhe skandale të shumta, me gjyqe për shkelje të patentave teknologjike, deri tek akuzat për abuzimet seksuale.