75 Mall Live Search
23:18 / E Hënë, 06 Korrik 2026 / Z S

Microsoft shkurton 4,800 vende pune, rrit investimet në IA mes presionit për uljen e kostove

Microsoft do të shkurtojë rreth 4,800 vende pune, ose afërsisht 2.1% të fuqisë së saj punëtore globale, duke iu bashkuar valës së ristrukturimeve që po përfshin industrinë e teknologjisë për shkak të investimeve gjithnjë e më të mëdha në inteligjencën artificiale. Lajmi është raportuar nga Reuters.

Kompania po përballet me sfidën e balancimit të investimeve të mëdha në inteligjencën artificiale me pritshmëritë e investitorëve për ruajtjen e fitimeve. Sipas parashikimeve, kompanitë më të mëdha të teknologjisë pritet të investojnë mbi 700 miliardë dollarë në zhvillimin e inteligjencës artificiale gjatë vitit 2026.

Vendimi për reduktimin e stafit vjen në një periudhë kur aksionet e Microsoft kanë rënë me rreth 23% gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, duke shënuar performancën më të dobët për këtë periudhë që nga viti 2022.

Më herët këtë vit, kompania kishte ofruar programe të largimit vullnetar për rreth 9,000 punonjës në Shtetet e Bashkuara. Si zakonisht, Microsoft kryen ristrukturime në fund të vitit të saj fiskal, në qershor, kur përcakton prioritetet financiare dhe planet e investimeve për vitin pasues.

Rritja e kërkesës për shërbimet e inteligjencës artificiale ka nxitur zgjerimin e platformës cloud Azure, por njëkohësisht ka rritur ndjeshëm kostot për ndërtimin dhe zgjerimin e qendrave të të dhënave. Në prill, Microsoft njoftoi se planifikon shpenzime kapitale prej 190 miliardë dollarësh gjatë vitit 2026, një nivel që tejkalon pritjet e tregut.

Përveç investimeve në AI, kompania po përballet edhe me vështirësi në divizionin e lojërave. Rritja e kostos së çipave të memories ka detyruar rritjen e çmimit të konsolës Xbox, ndërsa kërkesa e konsumatorëve mbetet më e ulët se sa pritej.

Drejtuesja e divizionit të lojërave, Asha Sharma, deklaroi se biznesi ka nevojë për një “rivendosje”, pasi marzhi i fitimit ka rënë në vetëm 3%.

Në një memo drejtuar punonjësve, ajo theksoi se, duke përjashtuar blerjen e Activision Blizzard, Microsoft ka investuar më shumë se 20 miliardë dollarë gjatë pesë viteve të fundit në përmbajtje, platformë dhe harduer, ndërsa të ardhurat vjetore kanë rënë me afro gjysmë miliardi dollarë, një situatë që sipas saj nuk është e qëndrueshme.

Sipas raportimeve të The Information, Microsoft po shqyrton gjithashtu skenarë të ndryshëm për të ardhmen e biznesit Xbox, përfshirë mundësinë e një ristrukturimi të thellë ose ndarjes së njësisë së lojërave nga pjesa tjetër e kompanisë.