75 Mall Live Search
09:29 / E Premte, 11 Prill 2025 / k.v

Miftaraj: Ende kemi shumë punë për të bërë në lidhje me sundimin e ligjit

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), ka deklaruar se ende ka shumë punë për të bërë në drejtim të sundimit të ligjit.

Miftaraj këtë e tha në konferencën rajonale për “Reformën në drejtësi si katalizator për forcimin e sundimit të ligjit”, e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Koalicioni i Evropës Juglindore për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.

“Sundimi i ligjit në vendet tona është në stade të ndryshme të zhvillimit. Nëse i shohim Raportet e Progresit për secilën nga vendet, ka ende shumë punë për të bërë për të siguruar që vendet tona të kanë një nivel të sundimit të ligjit që në njëfarë mënyre do të jetë një garancë për investime të huaja por edhe të përmbushur obligime që kem në raport me integrimin evropian”, tha Miftaraj.

Përveç Miftarajt, në këtë konferencë do të flasin edhe Milbert Dongjoon Shin, zëvendëspërfaqësues i Posaçëm i sekretarit të përgjithshëm, si dhe Arjeta Sadiku, zëvendëskryesuese e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Koalicioni i Evropës Juglindore për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, më 10 dhe 11 prill 2025 (e enjte dhe e premte), me përkrahje të National Endowment for Democracy (NED) dhe fondeve programatike të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, organizojnë: “Konferencën Rajonale për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, Reformën në Drejtësi si katalizator për forcimin e sundimit të ligjit”, si dhe “Takimin Vjetor të Koalicionit të Evropës Juglindore për Mbrojtjen e Sinjalizuesve”.

Në këtë konferencë marrin pjesë pjesëmarrës nga rajoni dhe më gjerë, duke përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Greqinë, Rumaninë, Bullgarinë, Kroacinë dhe vende të tjera.