75 Mall Live Search
21:33 / E Mërkurë, 15 Tetor 2025 / Z S

Miftaraj për kallëzimin penal të Pecit: Gabim amatoresk e një mënyrë viktimizimi në publik

Juristi dhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka komentuar paralajmërimin e kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci, për kallëzim penal ndaj disa gazetarëve dhe opinionistëve.

Miftaraj e ka cilësuar këtë veprim si të gabuar dhe pa bazë ligjore, duke theksuar se Peci “është dashur të konsultohej me juristë përpara se ta bënte një paralajmërim të tillë”.

“Për keqardhje, se po besoj do të duhej të konsultohej me jurist së pari para se me lajmëru një kallëzim penal. Fatkeqësisht neni 210 dhe 216 i Kodit Penal të Kosovës nuk përfshijnë situata të tilla, sepse është e pamundur që këto vepra të kryhen në një studio televizive pa përdorim force apo kanosjeje serioze,” ka deklaruar Miftaraj.

Ai ka sqaruar se neni 210 i Kodit Penal përcakton që vepra të tilla ndodhin vetëm “përmes forcës ose kërcënimit serioz”, e jo “përmes shprehjes së lirë në media”.

Ndërsa, për nenin 216, Miftaraj ka thënë se ai zbatohet vetëm për persona zyrtarë të përfshirë në procesin e numërimit apo manipulimit të votave.

“Te neni 216 kjo është edhe ma skandaloze, nuk e di nëse ndonjëri prej jush jeni certifikuar në KQZ sepse kjo vepër kryhet kryesisht nga persona zyrtar që janë në KQZ që manipulojnë votat brenda vendvotimeve. Mundem me thënë që zoti Peci me ngrit këtë kallëzim penal që Prokuroria pastaj me qenë e guximshme me trajtu këtë rast edhe me kërku fakte sepse i njëjti duhet ta bind që janë kryer këto vepra penale. E nëse nuk arrin t’i vërtetoj këto pastaj  me qen prokurori i guximshëm e qet Pecin para aktit të kryer ku  njëjti kryen vepër penale që është deklarimi i rremë para prokurorit të shtetit”, ka deklaruar ai në Debat Plus.

Sipas tij, ky veprim i Pecit duket më shumë si “strategji politike për të krijuar ndjesinë e viktimizimit publik”, sesa një proces i bazuar në ligj./Indeksonline/