Migjen Kelmendi: Jemi me fat që përjetuam Pavarësinë e Kosovës (Video)
Publicisti Migjen Kelmendi, tashmë kur Kosova po i mbush 10 vjet shtet, ka rikujtuar se sa me fat janë të gjithë ata që pritën dhe përjetuan pavarësinë. Ky vit jubilar, sipas tij, është rrëfyes për rrugën e madhe në të cilën ka kaluar Kosova, por edhe moment reflektimi për punën e madhe që duhet bërë. “Ndoshta për ta kuptuar dashurinë time, por edhe krejt gjeneratës time për këtë shtet, duhet të kthehemi atje në Krahinën Socialiste Autonome të Kosovës, kur e imagjinonim Republikën e Kosovës, e mendonim se sa ishim ne gjallë nuk do të mund ta përjetonim atë pavarësi”.
“Ndoshta kjo e ilustron më së miri se çfarë emocioni kam unë në 10-vjetorin e këtij shteti, kur kam menduar që jam shumë njeri me fat që pata mundësinë ta përjetoj, ta përjetoj bile edhe 10 vjetorin e këtij shteti, dhe e patëm privilegjin ta ndihmojmë këtë shtet dhe themelimin e tij”, thotë ai. Kelmendi vlerëson se 10-vjetori i pavarësisë së Kosovës është një shenjë kohe, që ndihmon për ta kuptuar çfarë rruge e madhe është kaluar për të mbërritur këtu ku jemi. “Njëkohësisht është edhe një moment kur duhet të reflektohet se sa shumë nuk është bërë dhe se sa shumë na pret që të bëjmë. Po them edhe një herë, e kemi të gjithë bashkë privilegjin të vazhdojmë ndërtimin e këtij shteti”, shton ai.
Kelmendi ka uruar të gjithë për 10 vjet shtet. “Uroj qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjithë, shqiptarë, serbë, boshnjakë, turq, romë, për këtë përvjetor të madh të shtetit tonë të përbashkët, të Republikës sonë të përbashkët, Kosovës”.