Mijëra persona protestojnë kundër qeverisë në Meksikë
Të paktën 120 persona – 100 prej tyre oficerë policie – janë plagosur në përleshjet gjatë protestave antiqeveritare në Mexico City.
Mijëra demonstrues marshuan në kryeqytetin meksikan të shtunën për të protestuar kundër krimit të dhunshëm dhe qeverisë së presidentes Claudia Sheinbaum, shkruan BBC.
Sheinbaum tha se marshimet, të cilat u zhvilluan edhe në qytete të tjera, ishin financuar nga politikanë të krahut të djathtë që kundërshtojnë qeverinë e saj.
Tubimi u organizua nga grupet rinore të Gjeneratës Z, duke marrë mbështetje nga qytetarët që protestonin kundër vrasjeve të profilit të lartë, përfshirë vrasjen vetëm disa javë më parë të kryetarit të bashkisë së Uruapan, Carlos Manzo, i cili kishte bërë thirrje për veprime të ashpra kundër karteleve.
Demonstruesit çmontuan pjesë të një barriere që mbronte Pallatin Kombëtar, ku jeton Sheinbaum. Policia që mbronte kompleksin përdori gaz lotsjellës ndaj turmave.
Protestuesit valëvitnin banderola me mesazhe si “Ne të gjithë jemi Carlos Manzo”, ndërsa të tjerë mbanin kapele kaubojsh në nder të tij.
Manzo u qëllua më 1 nëntor ndërsa po merrte pjesë në festivalin e Ditës së të Vdekurve.

