Mijëra pjesëmarrës nisin Marshin e Paqes në kujtim të viktimave të Srebrenicës

Në Bosnjë e Hercegovinë nisi të martën Marshi i përvitshëm i Paqes, në kujtim të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.
Gjatë tri ditëve të ardhshme, mijëra pjesëmarrës do të përshkojnë rrugën që mijëra qytetarë të Srebrenicës kaluan në verën e vitit 1995, në përpjekje për të shpëtuar nga forcat serbe.
Pas një rrugëtimi prej rreth 110-kilometrash, që nisi nga fshati Nezuk, pranë Tuzllës, ata do të arrijnë në Qendrën Përkujtimore Potoçari, ku më 11 korrik shënohet 30-vjetori i masakrës.
Atë ditë, atje do të varrosen mbetjet e shtatë viktimave të masakrës që u gjetën gjatë vitit të kaluar.
Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.
Në ditët që pasuan, ato vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë, ndërsa trupat e tyre i hodhën në gropa në pyjet përreth.
Krimi u njoh nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës si gjenocid.
Në tri dekadat e fundit, më shumë se 50 persona u dënuan me rreth 780 vjet burg për gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë.
Në mesin e të dënuarve me burgim të përjetshëm janë presidenti i kohës së luftës i Republikës Serbe dhe komandanti i ushtrisë së atij entiteti, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq.
Marshi i Paqes mbahet që nga viti 2005 dhe çdo vit numri i pjesëmarrësve rritet.
Qëllimi i kësaj ngjarjeje është të ruajë gjallë kujtimin për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë./Indeksonline/