Milaim Zeka: Është rrenë deklarata e Tomë Gashit se dokumentet e Speciales janë origjinale

Ish-deputeti Milaim Zeka e ka cilësuar “rrenë” deklaratën e avokatit të OVL-së së UÇK-së Tomë Gashi i cili tha se dokumentet e sjella në dosje nga persona anonimë pranë kësaj zyre janë dokumente origjinale të Gjykatës Speciale.
“Deklarata e Tomë Gashit se gjoja hetuesit e Prokurorisë Speciale e kanë pranuar që dokumentet janë të kësaj Prokurorie ju garantoj 100 për qind që është deklaratë e rrejshme. Hetuesit e Tribunalit Special nuk e kanë thënë një gjë të tillë”.

Ai në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se një dokument nuk mund të thuhet se është origjinal vetëm sepse e ka një vulë që, sipas tij, mund të falsifikohet.
“Është komplet rrenë. Këto dokumente nuk mund të jenë origjinale, vetëm pse një dokument e ka vulën e Gjykatës Speciale. Një vulë dhe një dokument edhe mund të falsifikohet. Origjinale nuk mund të jenë fare, sepse origjinali është në arkivën e Gjykatës Speciale – këto janë kopje që mund të jenë kopje të dokumenteve origjinale”.
“Tomë Gashi dhe plot avokatë të tjerë në Kosovë bëjnë deklarata politike dhe të dënueshme penalisht. Drejtuesve të OVL-së së UÇK-së iu lejohet një gjë të tillë, por jo një juristi. Edhe dokumentet që unë i kam marrë në atë kohë nga EULEX-i nuk kanë qenë origjinale – kanë qenë kopje të origjinalit”.

Milaim Zeka, ka thënë që publikimi i dosjeve që u dorëzuan dje në zyret e OVL-së së UÇK-së, do ta përshpejtonte shumë sipas tij, arrestimin e njerëzve që në kushte normale, nuk do të arrestoheshin deri në vitin e ardhshëm.
“Do të ishte skandal, nëse nga Gjykata Speciale, do të dilnin dëshmitë ose video – inçizimet që i kanë dhënë dëshmitarët. Pjesa dërrmuese e këtyre dosjeve, flet për komunikimin e Gjykatës me palën serbe. Kështu që, me ose pa qëllim ata që e kanë krijuar një gjë të tillë, për të ardhmen e gjithë kjo do të kthehet në ‘bumerang’ kundër drejtësisë së Kosovës dhe kundër shtetit”.
“Të paktën, politikanët e mençur, e dinë që më përpara zhbëhet shteti i Kosovës sesa Gjykata Speciale (hiqen njohjet, pavarësia e Kosovës)”, ka thënë ai.
Zeka ka theksuar që edhe në kohën kur ka qenë deputet, ka pasë tentativa për tu zhbërë Gjykata Speciale.
“Unë kam qenë kundër dhe e kam thënë publikisht se sikur unë ta di që dënohem me 40 vjet burgim, nuk e qes në luhajë pavarësinë e shtetit të Kosovës”, është shprehur Zeka.