11:13 / E Hënë, 15 Tetor 2018 / indeksADMonline

Milaim Zeka: Nuk ua bëj më kuorumin pozitës

Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës e paralajmëruar të nis në ora 10:00 nuk po mbahet.

E gjithë kjo për arsye të mungesës së kourumit. Por një deputetë më pak do ta ketë edhe pas pauzës pozita pasi deputeti nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka ka lëshuar sallën duke thënë se nuk do të kthehet më.

“Nuk ua bëj më kurrë kuorumin pozitës. Vetëm Ligji për Ushtri kur të vije do të votoj, përndryshe  më kurrë”, ka thënë shkurt Zeka, transmeton Indeksonline.

Zeka poashtu gjatë daljes prej Kuvendit ka deklaruar se është arrestuar pa të drejtë dhe se ky shtet po ia cenon lirinë e shprehjes.

“Ky kuvend nuk ka reaguar në mbrojtjen time dhe është bërë pjesë e këtij krimi. Prandaj nuk do t’ia bëj kuorumin kurrë më , vetëm për ushtrinë do të votoj”, ka thënë Zeka.

Ndryshe i pari i Kuvendit, Kadri Veseli ka kërkuar nga deputetët që të kthehen në sallë, në mënyrë që të zhvillohet seanca me 25 pika të rendit të ditës të mbetura nga seanca e kaluar./Indeksonline/