75 Mall Live Search
14:45 / E Diele, 21 Gusht 2022 / Gj. Sh

Milan gjen zëvëndësuesin e Kessie

Largimi i Franck Kessie me destinacionin Barcelonën, ka lënë një gropë të madhe në mesfushën e Milanit. Drejtuesit e kuqezinjve ende janë duke punuar në merkato për të zëvendësuar lojtarin nga Bregu i Fildishtë ndërsa së fundmi, Maldini dhe Massara kanë rënë në gjurmët e Raphael Onyedika, lojtar i Midtjylland në Danimarkë.

Sipas shtypit danez, kuqezinjtë ofrojnë deri në 6.5 milionë euro për shërbimet e 21-vjeçarit nga Nigeria. Në fakt, kjo ofertë është e përmirësuar ndjeshëm krahasuar me 3 milionë eurot që Milan ofroi herën e parë për Onyedika. Megjithatë, klubi i Midtjylland beson verbërisht te talenti i mesfushorit dhe nuk pranon skonto duke kërkuar të përfitojë maksimalisht nga një shitje e mundshme te kuqezinjtë.

Gjithsesi, ndjesitë për tratativën mes palëve janë pozitive dhe në vijim edhe me një rritje të lehtë financiare dhe me përfshirjen e bonuseve mund të ketë konkretizim të negociatave me Onyedika i cili do të bëhej transferimi i tretë për kuqezinjtë në këtë sesion pas Origit dhe De Ketelaere.