75 Mall Live Search
23:24 / E Shtunë, 11 Maj 2019 / indeksADMonline

Milan mban gjallë shpresat për Champions

Milani mban gjallë shpresat për të luajtur në Champions League sezonin e ardhshëm. Skuadra kuqezi fitoi 0-1 në “Artemio Franchi” ndaj Fiorentinës me gol të turkut Calhanoglu, i cili devijoi me kokë krosimin e Susos.

Në pjesën e dytë skuadra vjollcë bëri gjithçka për të shmangur humbjen dhe i pati madje rastet, sidomos me sulmuesin e saj kryesor, Federico Chiesa, por pa mundur të ndryshojë fatin e takimit.

“Djalli” me këtë fitore mbetet jashtë zonës Champions, në vendin e 5-të (62 pikë), me 3 pikë më pak se Atalanta dhe 1 më pak se Interi, që do të luajë ndaj Chievos. Në dy javët e mbetura kuqezinjtë do të përballen me Frosinonen dhe SPAL-in, ndërsa Atalanta do të luajë ndaj Juventusit dhe Sassuolos.

Takimi i zhvilluar mes Cagliarit dhe Lazios përfundoi me fitoren 1-2 të bardhekaltërve (shënuan Luis Alberto dhe Correa për miqtë dhe Pavoletti për ishullorët), rezultat që mban në garë ekipin kryeqytetas për vendin e 6-të dhe vetëm matematikisht për Championsin.