Milazim Vitija e pranon se LDK e përjashtoi nga grupi i asambleistëve në Prishtinë

Milazim Vitija, asambleist i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prishtinë, ka konfirmuar lajmin e IndeksOnline se është përjashtuar nga grupi i asamblesë së partisë, por ka sqaruar se nuk është përjashtuar nga partia.
Ai ka thënë se arsyeja për këtë vendim ka qenë mosbindja ndaj udhëzimeve të partisë.
“Më kanë përjashtuar prej grupit të asamblesë së LDK-së në Prishtinë, por jo nga partia. Arsyeja është se isha i padëgjueshëm”, ka deklaruar Vitija.
Ndërsa Fisnik Osmani, kryeshef i ndërmarrjes “Termokos” ka mohuar çdo lidhje me përjashtimin nga partia, duke theksuar se ai vazhdon të ushtrojë detyrën si kryeshef dhe është duke punuar ngushtë me Kryetarin e Komunës, Përparim Rama, dhe aksionarët e “Termokos” për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët.
“Nuk kam asnjë njoftim lidhur me lajmet që po qarkullojnë nëpër portale. Unë jam Kryeshef Ekzekutiv i NP Termokos dhe po punoj që Termokos të jetë afër qytetarëve për çdo nevojë dhe shërbim”, ka theksuar Osmani.
Ai ka shtuar gjithashtu se partia është një organ ku aktivistët shërbejnë në baza vullnetare dhe askush nuk mund ta përjashtojë askënd, duke i quajtur lajmet për përjashtim si të pasakta dhe të pavërteta./IndeksOnline/