16:14 / E Hënë, 20 Maj 2019 / indeksADMonline

Miliarderi amerikan i paguan universitetin të gjithëve

Fjalimin gjatë ceremonisë së diplomimit të këtij viti, studentët e universitetit Morehouse nuk do ta harrojnë kurrë. Jo për fjalët domethënëse, por sepse me shumë mundësi do t’i ndryshojë jetën.

I ftuar në podium për një fjalë përshëndetëse, miliarderi Robert F. Smith, sipërmarrës i suksesshëm në fushën e teknologjisë dhe i diplomuar vite më parë po në të njëjtin institucion, deklaroi se do t’i paguante të gjithë 400 studentëve që diplomoheshin atë vit gjithë shumën që kishin marrë hua për të paguar shkollën.

“Në emër të 8 gjeneratave të familjes time që jetojnë në këtë vend, unë dëshiroj t’iu vej pak karburant në makinën tuaj”, bëri shaka miliarderi, që ama me donacionin u tregua serioz, transmeton a2news. Llogaritet fat që Smith do të dhurojë rreth 40 milionë euro për të realizuar premtimin e tij.

Skena përballë tij mund të imagjinohet. Studentët, brohorisnin, shumë prej tyre qanin.

“Kisha llogaritur të paguaj 25 vite të jetës time me gjysmë rroge”, thotë ende i hutuar një prej tyre.

“Nuk duhet të jetoj më me sandviçë”.

Morehouse College është ndoshta universiteti më i famshëm në Amerikë që i kushtohet afro amerikanëve, pikërisht meshkujve.

Ndër studentët më të njohur, edhe Martin Luther King.

Tarifat për një shkollim të plotë mund të shkojnë deri në 200 mijë dollarë, dhe studentët marrin hua që paguajnë ndër vite. /Indeksonline/