16:56 / E Martë, 16 Nëntor 2021 / OSH

Miliarderi britanik ndërton hotelin më luksoz në Mesdhe, do të ketë 29 dhoma

Miliarderi dhe biznesmeni, Richard Branson, ka filluar ndërtimin e një hoteli në ishullin spanjoll që është i njohur për turistët me xhepa të thellë.

Britaniku që është pronar i kompanisë Virgin, për plotë dhjetë vite ka pasur probleme me autoritet e Majorkas, që në verë i dhanë lejen për ndërtimin e hotelit luksoz.

Hoteli me 29 dhoma do të ndërtohet në pjesën perëndimore të ishullit, e mediat lokale raportojnë se hoteli prej ditësh është rrethuar me skele dhe rrethojë mbrojtëse.

Branson nga fëmijëria ka vizituar Majorkën, e disa vite më parë është shprehur i gatshëm që në këtë ishull të ndërtoj “hotelin më të bukur në botë”. Më vonë këtë përshkrim e riformuloi si “hoteli më luksoz në Mesdhe”.

Ai bleu pronën e Son Bunyola, që shtrihet në 300 hektarë qysh në vitin 1994, por e shiti në vitin 2002 pasi që autoritetet lokale nuk deshën t’i japin leje për ndërtim.

Megjithatë Branson nuk hoqi dorë dhe pronën e ribleu në vitin 2015 për 15 milionë euro, dhe lejen e fundit për ndërtimin e hotelit e mori në fillim të verës.