13:51 / E Premte, 24 Maj 2019 / indeksADMonline

Milwaukee nuk e përballon dot presionin, Toronto një fitore larg historisë!

Milwaukee Bucks nuk e mban dot presionin e të qenit skuadra favorite për të shkuar në finalen e madhe të NBA në Konferencën e Lindjes dhe pëson humbjen e 3-të rresht ndaj Toronto Raptors që është vetëm një fitore larg historisë.

Skuadra kanadeze triumfoi brenda në Wisconsin në ndeshjen e 5-të finale të Lindjes duke marrë kryesimin e serisë në 3-2 me ndeshje dhe tashmë do të kërkojë të mbyllë llogaritë për titullin e konferencës që do ishte i pari nëse e fiton në historinë e skuadrës kanadeze.

99-105 në favor të Raptors ishte rezultati që prodhoi sfida e luajtur në Fiserv Forum, në një ndeshje ku diferencën e bëri ylli i Torontos Kawhi Leonard, autori i një paraqitjeje të shkëlqyer me 35 pikë 9 asiste dhe 7 rebound.

Perioda e parë foli e gjitha për vendasit me Bucks që pas 12 minutave të para kryesonin me rezultatin 32-22, por atëherë kur të gjithë menduan se Milwaukee do ta kishte shumë të thjeshtë të merrte fitoren e tretë në shtëpi në këtë seri, erdhi edhe reagimi i kanadezëve të cilët filluan të rikuperonin pikë të rëndësishme në periodën e dytë dhe të tretë për të bërë ligjin më pas në periodën e 4-t dhe atë të fundit dhe për të marrë një fitore që afron gjithnjë e më shumë me finalen e madhe të NBA.

Poshtë pritshmërive Giannis Antetokounmpo që gjithsesi ishte basketbollisti më i mirë mbi parket për Bucks me 24 pikë 6 asiste dhe 6 rikuperime poshtë tabelës. Te Raptors ndërkohë përveç Leonard spikatën edhe VanVleet me 21 pikë dhe Kyle Lowry me 17 pikë.