Mimoza Sojeva-Pajaziti në kuvendin komunal: Për një politikë pa dhunë ndaj grave

Në një seancë të veçantë të Kuvendit komunal të Ferizajt, Mimoza Sojeva- Pajaziti, kryesuese e Grupit të grave të asamblesë, ka lexuar Deklaratën për eliminimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave në politikë dhe jetën publike në Kosovë, e cila është mbështetur nga Misioni i OSBE-së.
Në fjalën e saj, Pajaziti theksoi rëndësinë e fuqizimit të rolit të grave në institucione dhe mbrojtjes së tyre nga çdo formë e dhunës – qoftë fizike, psikologjike apo simbolike – në mjedisin politik dhe publik.
“Ishte kënaqësi dhe nder i veçantë që pata mundësinë të lexoja para kuvendit komunal këtë deklaratë me rëndësi të madhe. E ndava me bindjen e plotë se dhuna ndaj grave në çfarëdo forme nuk ka vend në jetën tonë institucionale, politike e publike”, u shpreh ajo.
Kjo iniciativë është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të ndërtuar një shoqëri më gjithëpërfshirëse, të barabartë dhe të sigurt për të gjitha gratë që angazhohen në jetën publike dhe politike.
Deklarata është përkrahur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe synon të nxisë reagim institucional dhe ndërgjegjësim shoqëror për këtë çështje jetike.