13:38 / E Martë, 08 Janar 2019 / indeksADMonline

Minatorët paralajmërojnë eskalim të situatës, këto janë kërkesat e tyre

Minatorët e gjigandit metalurgjik ‘Trepça’ kanë paralajmëruar eskalim të situatës në rast të mos përmbushjes së kërkesave të tyre gjatë ditëve në vijim.

Ata në ditën e gjashtë të grevës kanë potencuar kërkesat e tyre siç janë, rritja e pagave për 20 për qind, mos punësimi i punëtorëve të rinj pa konkurs, takimi i menjëhershëm me Bordin e minatorëve, si dhe përmbushja e kërkesave të tyre të bëra më parë, ndonëse kanë edhe kërkesa tjera.

Kryetari i Këshillit Grevist, Ferid Neziri, duke folur për KosovaPress, përveç kërkesave të përmendura, ka kërkuar edhe punësimin e familjarëve të minatorëve të cilët tani duhet të pensionohen. “Kërkoj me na marr nga një fëmijë në punë, sepse me 70 euro çka me bë. Gjashtë fëmijë i kam, të gjithë janë me fakultet dhe asnjëri nuk është i punësuar” , ka thënë Neziri.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Punëtorëve të Kosovës (BSPK), Avni Hajdini, ka mbështetur fuqishëm grevistët, duke kërkuar zgjidhje sa më të shpejtë të problemit, në të kundërtën siç tha ai, situata mund të eskalojë. Sipas tij, premtimet e kryeministrit ndaj kërkesave të minatorëve që nga viti i kaluar kanë mbetur vetëm premtime boshe, ngase nuk është bërë asgjë deri tash. Ai ka bërë thirrje qeverisë që sa më parë të kontaktojë minatorët dhe me dialog të zgjidhet ky problem.

“Premtimet e kryeministrit nga viti i kaluar për kërkesat e minatorëve kanë mbetur vetëm premtime boshe. Këta punëtorë i kanë edhe 50 mijë anëtarë të BSPK-së përkrahës në kërkesat e tyre. I dërgoj mesazh qeverisë që të vijë sa më parë pranë minatorëve dhe me dialog të zgjidhet kjo çështje, derisa nuk ka eskaluar situata. Këta punëtorë janë të njëjtit të cilët më 1989 kanë ardhur këmbë në Prishtinë, prandaj për mos me u kriju sërish një situatë e tillë duhet që sa më parë të zgjidhet problemi”, theksoi Hajdini.

Edhe Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku, ka përkrahur kërkesat e minatorëve të cilat i quajti kërkesa minimale dhe të cilat mund të realizohen. Andaj, shtoi ai, përfaqësuesit relevantë të institucioneve të Republikës së Kosovës, duhet sa më parë të vijnë dhe të dialogojnë me minatorët, në mënyrë që të dilet nga kjo situatë e krijuar. Në anën tjetër, ushtruesi i menaxherit të Trepçës, 

Xhevdet Tahiri, i cili mori detyrën para një muaji, duke bërë të ditur se i mbështet kërkesat e punëtorëve, tha se ka informuar Bordin Mbikqyrës për shqetësimet dhe kërkesat e tyre, por që deri tani nuk ka reflektuar askush.

“Natyrisht i mbështes kërkesat e minatorëve. Rritjen e pagave faktikisht punëtorët e kanë kërkuar edhe nga unë, por unë absolutisht nuk i kam mundësitë buxhetore. Mundësia dhe hapi parë që t’më jipet për një gjë të tillë, kam me bë. Unë meqë i përgjigjem Bordit Mbikqyrës, e kam informuar përmes emailit rreth kërkesave të minatorëve dhe kërkesës së tyre për një takim të mundshëm me ta. Punëtorët kanë kërkuar poashtu takim edhe me përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe kryeministrin për t’i njoftuar për rrjedhën e ecurisë së procedurave në lidhje me Ligjin dhe Statutin. Ata deri tash nuk kanë reflektuar”, u shpreh për KosovaPress Tahiri.