Minatori s’i mbanë lotët para politkanëve në Kuvend: Leni inatet, na bëni zgjidhjen

Në ditën e tetë të grevës së minatorëve, sindikalistët e Trepçës dhe tetë përfaqësues të ndërmarrjes janë takuar sot me anëtarët e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.
E njëri nga minatorët i cili kishte ardhur si përfaqësues në këtë takim, nuk mund t’i mbante lotët, derisa fliste para komisionit për gjendjen e rëndë të minatorëve grevist. Ai para anëtarëve të komisionit, kërkoi nga përfaqësuesit e partive politike t’i lënë inatet mes vete, kur është fjala për minatorët.
Ai kishte një lutje për institucionet e Kosovës, që të bëhet zgjidhje sa më shpejtë, pasi që në pyetje është jeta e minatorëve, disa prej të cilëve ditëve të fundit, kanë qenë në gjendje të rëndë.
“Bënë një grup të gjitha partitë, leni inatet mes vete. Për çështjen e minatorëve leni inatet ejani sa më shpejtë, se minutat janë në pyetje jo orët. Hajdeni me ne, kena me shku drejtë këtu t’i shohim minatorët. Analizoni ju jeni me të mençur, analizoui kërkesat e minatorëve, a janë politike apo çfarë janë. Mos u merrni me neve me çështje politike, por bëni zgjidhje ju dhe qeveria. Bëne grupin sa më shpejtë shkoni zgjidhni çështjen. Situata është shumë e rëndë, mund të ndodh dhe diçka tjetër. Atëherë kush e merr përgjegjësinë. Atëherë kur shkon jeta e minatorëve, çka na duhet. Bëhuni së bashku mos e zgjatni shumë muhabetin. I njohim të gjithë partitë, minatorët dhe ne kemi dhënë vota. Qeveria ka përgjegjësi. Lene politiken dhe sa më shpejtë ejani shpëtoni minatorët, plotësoni kushtet e tyre. Ejani sa më shpejtë me neve, t’i nxjerrim minatorët nga miniera dhe t’i plotësojmë kërkesat”, tha ai.