09:16 / E Premte, 10 Shkurt 2023 / L K

Ministrja Haxhiu për vdekjen e Balajt e Xheladinit: Rastin e kemi dërguar edhe te Sekretari i Kombeve të Bashkuara

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka përkujtuar aktivistët e LVV-së, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, ku mbetën të vrarë në demonstratat e 10 shkurtit 2007.

Haxhiu shkroi se ata u bënë sakrifikuesit e shtetit, ndërsa tha se mijëra qytetarëve iu dhunua e drejta për mendim të lirë e paqësor nga UNMIK-u.

Ajo bëri të ditur se iu është drejtuar autoriteteve rumune si dhe Sekretarit të Kombeve të Bashkuara për të kërkuara përgjegjësi nga policia rumune, raporton IndeksOnline.

Postimi i plotë:

16 vite më parë sheshi u bë pikënisje e shtetit ndërsa protestuesit aktivistë Mon Balaj dhe Arben Xheladini u bënë sakrifikuesit e shtetësisë që nuk dukej në horizont pa këta protagonistë dhe qindra-mijëra qytetarë që mbushën rrugët atëkohë.

E drejta për ushtrim paqësor të mendimit të lirë e qytetar u dhunua me shkopinj e plumba gome të UNMIK-ut, që për pasojë u dhanë fund tragjikisht jetëve të Monit dhe Arbenit. Rënia e tyre e ngriti edhe më shumë alarmin për korrigjim të padrejtësisë që po na bëhej me pakon e Ahtisaarit, e cila vetëm pastaj rezultoi me përmendjen e togfjalëshit “pavarësi e mbikëqyrur”, ende pa u mbushur as 3 javë prej vrasjes së dy aktivistëve nga plumbat e policisë rumune.

Në vitin 2009 ishte hapur rasti për hetimin e vrasjes së Monit dhe Arbenit. Para 3 vitesh zyrtarisht si Ministre, u jam drejtuar autoriteteve rumune me shkresë për informacione lidhur me detajet procedurale dhe veprimet e ndërmarra pë vrasjen e aktivistëve protestues. Vitin e kaluar rastin e kam adresuar edhe te Sekretari i Kombeve të Bashkuara për të kërkuar informata lidhur me nivelin e zhvillimit të prcedurave dhe marrjen e  përgjegjësisë nga policia rumune.

Aktivistët po protestonin paqësisht atë ditë për ta mbrojtur vendin e tyre. Mbledhja e qytetarëve për protestë paqësore është e drejtë universale e garantuar edhe me konventa ndërkombetare. Prandaj, për vrasjen e Monit dhe Arbenit, nuk do te rreshtim së kërkuari përgjegjësi.

Lavdi jetës dhe veprës së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, emrave që përherë do të jenë të gdhendur në pllakën e Kosovës së pavarur!

Ne po ecnim drejt atë ditë, ne do ecim drejt gjithmonë!