75 Mall Live Search
09:15 / E Enjte, 06 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Ministri Abdixhiku paralajmëron kompanitë që nuk hoqën borën: Do të mbani përgjegjësi!

Qytetarë të shumtë janë ankuar sot lidhur me gjendjen e rrugëve dhe autostradave në vend.

Mospastrimi i rrugëve nga bora dhe ngricat shkaktuan vështirësi në qarkullimin e shumë pjesëmarrësve në trafik.

Lidhur me këtë Indeksonline ka kontaktuar ministrin e Infrastrukturës dhe Transportit, Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku, ka paralajmëruar se secila kompani e kontraktuar që nuk ka qenë në krye të detyrës do të mbajë përgjegjësi për këtë gjendje.

“Sot në orën 10:00 do t’i takoj menaxherët rajonalë të ministrisë. Secila kompani e kontraktuar që nuk ka qenë në krye të detyrës do të mbajë përgjegjësi”, ka thënë shkurt Abdixhiku.

Ndryshe, gjendja e rrugëve dhe autostradave pas reshjes së borës ishte sfida e parë me të cilën u përball ministri Abdixhiku në marrjen e detyrës së re në krye të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit.

Reshjet e borës janë vazhdimisht aktive, kështu që e bën edhe më të vështirë përcjelljen e gjithë kësaj gjendjeje.

Indeksonline mëngjesin e sotëm ka raportuar për disa ankesa të qytetarëve në pjesë të ndryshme të vendit, po që ministri tashmë ka paralajmëruar gatishmërinë për t’u marrë drejtpërdrejt me gjithë këtë situatë./Indeksonline/