Ministri Aliu: Motra ime u ftua për ta marr detyrën, pse e qysh nuk e kam idenë

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka deklaruar se nuk e ka idenë se si është punësuar motra e tij në një komision të Odës së Farmacistëve.
Në seancën e sotme të Kuvendit ku po diskutohet për 100 ditëshin e Qeverisë Kurti 2, ai e preku këtë temë, pasi ditë më parë është raportuar se ajo është punësuar në Këshillin Drejtues të Odës së Farmacistëve të Kosovës, që është në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Motra ime s’është punësuar tash. Ajo ka qenë e punësuar në spital, punon në barnatoren e internos. Përveç asaj, gjatë kohës është specialiste e farmaciste klinike – e numri i tyre është i vogël në vendin tonë dhe gjasat që ajo mund të jetë njëra prej atyre anëtarëve të komisionit janë shumë të mëdha që është bërë për këtë arsye”.
“Ka qenë aktive edhe më herët, dhe ky nuk ka qenë punësim, siç ju po e quani. Është ftuar dhe e ka marr atë detyrë. Pse e qysh është ftuar unë as nuk e kam idenë, por këtë mund ta sqarojnë ata të Odës”, tha Aliu.