Ministri Aliu njofton se është zhbllokuar rruga në terminalin doganor në Han të Elezit

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka njoftuar zhbllokimin e rrugës në terminalin doganor në Han të Elezit. Këtë e ka thënë në një konferencë për media të mbajtur sot.
Aliu ka konfirmuar se përveç vendimit për zhbllokimin e rrugës, Qeveria ka marrë vendim edhe për shpronësimin e këtyre pronave që janë në menaxhim të AKP-së.

“Është e drejtë e qeverisë që këto prona t’i kthejë tek shteti dhe të mos ndodhin bllokime të tilla. Dje në mbledhje të Qeverisë kemi marr vendim që të bëjmë shpronësimin e pronave që janë në menaxhim të AKP-së” ka thënë Aliu.
Ministri ka deklaruar se bllokimi i deritanishëm i ka dëmtuar shumë transportuesit e mallrave. Aliu ka thënë se transportuesit kanë qenë të obliguar të paguajnë nga 40 euro për të hyrë në terminalin privat që ka qenë aty.
“E kemi kuptu që e gjithë zona në fjalë përbehet nga parcela që janë në menaxhim të AKP-së dhe që janë të privatizuar, por edhe në rastin kur janë parcelat e privatizuara, pronari i ri privat nuk ka të drejtë që të bllokojë rrugën e as në pronat që janë pronë e AKP-së”, ka deklaruar ministri Aliu në konferencë./Indeksonline/