75 Mall Live Search
15:14 / E Martë, 24 Shtator 2019 / indeksADMonline

Bytyçi: Shkolla “Gjon Serreçi” e Ferizajt u kërkua të punojë me 2 ndërrime

Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyçi sot ka vizituar shkollën “Gjon Serreçi” në Ferizaj.

Ai dhe ekipi i tij kanë parë nga afër gjendjen në këtë shkollë, meqë ka pasur ankesa nga prindërit dhe shoqëria civile.

Sipas ministrit, ndonëse shkolla “Gjon Serreçi” ka një traditë, megjithatë është shkollë e vjetër dhe nuk i ka kushtet e mira infrastrukturore.

“Me drejtorin e Arsimit të Ferizajt, Afrim Llabjani, dhe me drejtorin e shkollës “Gjon Serreçi” Nazmi Heda diskutuam për gjetjen e zgjidhjes që të punohet me dy ndërrime, sepse kjo shkollë ka një numër të madh të nxënësve dhe aktualisht punon me tri ndërrime. Me këtë rast u njoftuam se janë duke u bërë përpjekje që sa më shpejt ta kemi shkollën e re, e cila ka filluar të ndërtohet dhe pastaj të bëhet bartja e nxënësve”, ka shkruar Bytyçi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i tij:

Mëngjesin e sotëm së bashku me ekipin tim nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) vizituam shkollën “Gjon Serreçi” në Ferizaj.

Nga afër pamë se cila është gjendja në këtë shkollë, sepse ka pasur ankesa nga prindërit dhe shoqëria civile.

Ndonëse shkolla “Gjon Serreçi” ka një traditë, megjithatë është shkollë e vjetër dhe nuk i ka kushtet e mira infrastrukturore.

Me drejtorin e Arsimit në Komunën e Ferizajt, Afrim Llabjani dhe me drejtorin e shkollës “Gjon Serreçi” Nazmi Heda diskutuam për gjetjen e zgjidhjes që të punohet me dy ndërrime, sepse kjo shkollë ka një numër të madh të nxënësve dhe aktualisht punon me tri ndërrime.

Me këtë rast u njoftuam se janë duke u bërë përpjekje që sa më shpejt ta kemi shkollën e re e cila ka filluar të ndërtohet dhe pastaj të bëhet bartja e nxënësve.

Unë dhe MASHT-i u zotuam dhe jemi të gatshëm për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjes dhe bartjen e nxënësve në një shkollë tjetër. Dhe së bashku do ta zgjidhim këtë problem.

Gjithashtu diskutuam edhe për çështjen e teksteve shkollore, me ç’rast bëra me dije se MASHT-i ka bërë më kohë shpërndarjen e teksteve.

Kërkuam sqarime lidhur me shpërndarjen e teksteve dhe u njoftuam se numri i librave në këtë shkollë është në proporcion me numrin e nxënësve.