75 Mall Live Search
15:06 / E Shtunë, 31 Janar 2026 / F.R

Ministri gjerman i Mbrojtjes: Nuk ka shenja se Amerika do të largohet nga NATO

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, u bëri thirrje vendeve evropiane të tregojnë më shumë vetëbesim në marrëdhëniet e tyre me SHBA-në.

“Do të ishte gabim të vazhdonim të shikonim ngultas në drejtim të Shtëpisë së Bardhë si një lepur gjarpri dhe të prisnim që të ndodhte diçka. Në këtë rast, do të humbisnim fokusin te ajo që është më e rëndësishme: të bëheshim më sovranë dhe të pavarur”, tha Pistorius në një intervistë me median RND.

Ai tha gjithashtu se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mbështetet në politikat e pasigurisë dhe frikës për të arritur qëllimet e tij.

“Por ata që kanë frikë marrin vendime të gabuara. Kjo është arsyeja pse ne nuk lejojmë veten të frikësohemi”, tha Ministri gjerman i Mbrojtjes.

“Nuk ka shenja se SHBA-të do të largohen nga NATO”

Pistorius, i cili është ndër politikanët më të njohur gjermanë, tha se Evropa ka nevojë për ShBA-në, por edhe se ShBA-ja ka nevojë për Evropën.

“Evropa është me interes të madh gjeostrategjik dhe gjeoekonomik për Uashingtonin”, tha Pistorius, duke shtuar se, në rast se Evropa hyn në sferën e interesit të Rusisë, SHBA-të do të gjenden midis Kinës dhe Rusisë, gjë që, theksoi ai, nuk mund të jetë në interes të askujt në Uashington.

Ministri gjerman gjithashtu nuk beson se themelet e përbashkëta mbi të cilat mbështetet NATO janë vënë në pikëpyetje, pavarësisht trazirave të fundit mbi Groenlandën.

“Nuk ka shenja se SHBA-të do të largohen nga NATO”, përfundoi Pistorius.