Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi takon homologen e tij nga Mali i Zi

Bashkëpunimi në nivelin lokal ndërkufitar, dixhitalizimi i shërbimeve komunale dhe projektet e përbashkëta ndërshtetërore në fushën e zhvillimit lokal ishin temat kryesore të cilat u diskutuan në takimin zyrtar në mes të Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe Ministres për Administratë Publike, Shoqëri Dixhitale dhe Media e cila mbulon edhe Pushtetin Lokal në Malin e Zi, Tamara Srzentić.
Ministri z. Krasniqi, i uroj mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Ministres Srzentić, duke e falënderuar për bashkëpunimin korrekt dhe marrëdhëniet e mira në mes të dy shteteve duke synuar thellimin e këtij bashkëpunimi në projektet dhe prioritetet ndërshtetërore.
Gjatë këtij takimi Ministri Krasniqi, e informoi Ministren Srzentić, për projektet strategjike dhe programet zhvillimore të MAPL-së, të cilat përfshijnë përmirësimin e agjendës legjislative të nivelit lokal, zhvillimin infrastrukturor dhe kapital të Komunave, dixhitalizimin dhe transparencën në ofrimin e shërbimeve komunale më efikase për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër, Ministrja e Malit të Zi, Tamara Srzentić, e falënderoi Ministrin Krasniqi për pritjen dhe gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në nivelin lokal duke u fokusuar tek bashkëpunimi ndërkufitar, dixhitalizimi dhe transparenca.
Ministrja Srzentić, e njoftoi Ministrin Krasniqi për disa nga programet dhe iniciativat kryesore të Malit të Zi në fushën e zhvillimit të nivelit lokal, duke theksuar reformën në administratën publike, transformimin dixhital dhe ofrimin e shërbimeve më efikase të bazuara në e-qeverisje.
Në fund, të takimit Ministri Krasniqi dhe Ministrja e Malit të Zi, Tamara Srzentić janë dakorduar për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët ndërshtetëror.
Përderisa, nesër Ministrja e Malit të Zi, Tamara Srzentić, do të pritet në takim nga Kryetari i Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri, për të vazhduar me vizitën në projektet e financuara në kuadër të programit të bashkëpunimit ndërkufitar Kosovë – Mali i Zi.