21:37 / E Hënë, 05 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Ministri i Arsimit kritika ndaj rektorit të UP-së

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, i është kundërpërgjigjur rektorit të Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, i cili para disa ditësh, përmes një konference për media, pati arsyetuar avancimet akademike të bëra brenda stafit, se janë bërë në bazë të standardeve të UP-së dhe se procesi ka qenë tërësisht transparent.

Nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Bytyqi ka kritikuar reagimin e Demës në lidhje me urdhëresën administrative ‘Parimet e Njohjes se Platformave dhe Revistave Ndërkombëtare me Recension’, për çka, sipas ministrit, “Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, z. Dema, duket se u ndje i atakuar dhe reagoi goxha pa sens profesional madje edhe me të pavërteta”.

“Thënë të drejtën, sjelljen e Rektorit e kam marrë si një dobësi, e jam munduar dhe e kam për detyrë të mos i ndikoj marrëdhëniet tona Ministri – Universitet, edhe pse urdhëresa administrative nuk do sakrifikohet për nivelin e këtyre marrëdhënieve”, ka thënë Bytyqi.

Ai thotë se me të marrë drejtimin e Dikasterit të Arsimit, i ka vënë vetes dy detyra krejt themelore.

“Të mos bëj kompromis me asnjë që nuk jep rezultate, sepse ata që nuk japin rezultate edhe thellojnë të këqijat, dhe të mos cenoj pavarësinë e askujt që nuk më takon”, ka thënë Bytyqi.

Sipas tij, cilësia e arsimit kërkon nga ne të reagojmë me punë e të kërkojmë përgjegjësi dhe në kuadër të këtij mëtimi, rezultoi edhe Urdhëresa Administrative për “Parimet e Njohjes se Platformave dhe Revistave Ndërkombëtare me Recension”.

“Duam të sqarojmë opinionin se ne nuk jemi marrë me jetën private të askujt por kemi kërkuar e do vazhdojmë të kërkojmë cilësi në arsimin e lartë kudo në vendin tonë, me këtë edhe në UP ‘Hasan Prishtina’. E garantoj opinionin, Rektorin, e këdo palë interesi se derisa unë të jem në drejtim të këtij dikasteri dhe derisa qeveria Haradinaj do ketë këtë frymë, ne nuk do rreshtim së kërkuari cilësi, dhe kushdo që nuk sjell cilësi do i duhet të vihet para përgjegjësive varësisht nga pozicioni ku gjendet sot”, është shprehur ministri i Arsimit.

Ai thotë se do të përpiqen që të krijojnë rrethana, ku secili të ndjehet i vlerësuar e me mundësi, cilido që e bënë punën e vet mirë e në thirrje të titullit të tij akademik.

Ministri Bytyqi shpreson se do t’ia dalin që të “mposhtim menaxhimin jo efikas”, gjë e cila, sipas tij, po e bren arsimin tonë të lartë përmes mos aplikimit të standardeve të kërkuara në drejtim të zhvillimit të këtyre institucioneve.

“I bëjmë thirrje edhe Rektorit Dema të na bashkohet në këtë mision, i cili nuk do pushojë me mandatin tonë dhe do mbetet sfidë e vazhdueshme, por që do ia vlejë për brezat. Edhe pse konferenca për shtyp e Rektorit Dema më la një shije të hidhur dhe mediat tashmë e kanë demantuar duke ofruar dëshmi me fjalë e me foto të takimeve tona, unë mbetem i fokusuar tek misioni im sikur që pres edhe rektori të mbetet i fokusuar tek detyra e tij dhe obligimet që i dalin. Ne do jemi të palodhur për bashkëpunimin me këdo institucion të çfarëdo niveli të arsimit, por edhe nuk do harrojmë detyrat që na shtron drejtimi i dikasterit dhe gjendja e rëndë në Arsim”, u shpreh Bytyqi.

Në fund, ai tha se “kjo gjendje e rëndë në arsim” ka edhe faktorët e fajtorët.

“Faktorët do përpiqemi t’i përmirësojmë derisa për fajtorët shteti ka ndërtuar mekanizma tjerë që nuk janë natyrë e punës sonë”, deklaroi ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi.