75 Mall Live Search
19:20 / E Enjte, 06 Shtator 2018 / indeksADMonline

Ministri i Arsimit pret në takim partnerët e e projektit ‘Euforia’

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi përmes një postim në Facebook ka treguar se sot ka pritur në takim partnerët e projektit ‘Euforia’ që është pjesë e programit ‘Erasmus’. 

Pjesë e këtij takimi ishte edhe koordinatori i projektit, profesori Iraj Hashi nga Universiteti i Staffordshire, transmeton Indeksonline.

Ministri Bytyqi në postimin e tij tha se e vlerëson lart rëndësinë e këtij projekti. Po ashtu tregoi se MASH-t është në fazën e formimit të një grupi të ekspertëve në bashkëpunim me mbështetësit ndërkombëtar për të hartuar një strategji për funksionimin e institucioneve të arsimit të lart publik dhe atij privatë. /Indeksonline/

Për më shumë poshtë keni postimin e ministrit:

Një strategji për arsimin e lartë në Kosovë

Sot prita në takim partnerët e projektit EUFORIA, në kuadër të programit ERASMUS+, të kryesuar nga koordinatori i projektit Prof. Iraj Hashi nga Universiteti Staffordshire.

Jam njoftuar nga partnerët e këtij projekti për rëndësinë e projektit në funksion të ngritjes së kapaciteteve në arsimin e lartë. Po ashtu, në këtë takim, partnerët e projektit kanë folur edhe rreth çështjes së sistemit të financimit të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë.

 E vlerësoj lartë rëndësinë e projektit EUFORIA, për faktin se qëllimi i këtij projekti është të zhvillojë lidhjet midis universiteteve dhe ndërmarrjeve në Kosovë në mënyrë që të përmirësojë mësimdhënien dhe mësimin, punësimin e të diplomuarve dhe të kontribuojë në financimin e arsimit të lartë në universitetet e Kosovës.

MAShT është në fazën e formimit të një grupi të ekspertëve në bashkëpunim me mbështetësit tanë ndërkombëtarë për të hartuar një strategji për funksionimin e institucioneve të arsimit të lartë publik dhe privat në Kosovë, e sigurisht që në kuadër të kësaj strategjie do të rregullohet edhe çështja e financimit të Universiteteve.

Projekti EUFORIA është një konsorcium i gjashtë institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë (Universitetet e Prishtinës, Pejës, Gjakovës, Gjilanit dhe Ferizajt dhe Kolegjit Riinvest) dhe pesë universitete nga Unioni Evropian; Universiteti i Ankonës (Itali), Universiteti i Zagrebit (Kroaci), Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Munih (Gjermani), Universiteti Nottingham Trent dhe Universiteti Staffordshire (Mbretëria e Bashkuar).