17:54 / E Martë, 03 Korrik 2018 / indeksADMonline

Ministri i Brendshëm shkarkon kryeshefin e suspenduar të IPK-së, Hilmi Mehmeti

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, e ka shkarkuar nga detyra Kryeshefin e suspenduar të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Hilmi Mehmeti.

Kjo është bërë e ditur përmes një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, nga zyra për media e kësaj ministrie.

Në vendimin e ministrit Gashi, që mban datën 21 qershor 2018, thuhet se Hilmi Mehmeti me veprimet e tij, ka shkaktuar keqmenaxhim të vazhdueshëm të IPK-së, ka dështuar të përmbush objektivat strategjike të IPK-së dhe përfundimisht, sipas vendimit, me veprimet e tij në keqmenaxhim të vazhdueshëm, Mehmeti ka dëmtuar imazhin e IPK-së.

Rasti në fjalë, ka të bëj me një konkurs të shpallur në korrik të vitit të kaluar nga ana IPK-së për 17 vende të lira të punës në këtë institucion, e ku siç thuhet në vendimin e MPB-së, auditori i kësaj ministrie ka gjetur plot 15 shkelje ligjore në procedurat e rekrutimit të këtij konkursi.

Pas të gjeturave të auditimit, më 18 dhjetor të vitit të kaluar, ish-ministri i MPB-së në atë kohë, Flamur Sefaj kishte bërë kërkesë që ky konkurs të anulohej, dhe një gjë të tillë edhe kishte ndodhur më 29 dhjetor 2017.

I gjithë rasti ishte iniciuar në nëntor të vitit të kaluar, kur MPB-ja kishte pranuar një ankesë në lidhje me këtë konkurs, nga ana e anëtarit të komisionit për rekrutim, Qerim Bytyqit, njëherësh udhëheqës për hetime në Divizioni e Prizrenit/Pejës, në kuadër të IPK-së, i cili përmes një shkrese kishte njoftuar ministrin për shkeljet e komisionit në procedurën e rekrutimit.

Për më tepër rreth këtyre shkeljeve, siç thuhet në vendimin e MPB-së, ekzistojnë edhe audio-incizime, ku anëtarët e komisionit shihen se janë shantazhuar dhe janë detyruar të bëjnë shkelje ligjore në këtë proces, e të cilat audio-incizime siç e thotë edhe vendimi i ministrit.

Tashmë ish-Kryeshefi i IPK-së, ishte suspenduar nga ish-ministri i MPB-së, Flamur Sefaj, më 2 shkurt të këtij viti, për shkak të hetimeve që kishin filluar ndaj tij në lidhje me konkursin e IPK-së për 17 pozita të inspektorëve dhe hetuesve.

Ky institucion, kishte shpallur konkurs për 17 pozita të inspektorëve/hetuesve. Në këtë konkurs kishin konkurruar edhe djali i axhës së Kryeshefit të IPK-së, Hilmi Mehmeti.

Në fazën e dytë të testimit fizik, djali i axhës së Kryeshefit, së bashku me një kandidate tjetër, nuk kishin arritur të kalonin me sukses.

Hetimet ndaj Kryeshefit të IPK-së, i ka zhvilluar prokurori Ibrahim Berisha, djali i të cilit, kishte konkurruar në këtë konkurs dhe kishte kaluar me sukses.

Pas një lufte të shkresave nga informatori Qerim Bytyqi, prokurori Ibrahim Berisha, i cili kishte zhvilluar disa takime me Kryeshefin e IPK-së, ishte tërhequr nga hetimi i rastit, për shkak të konfliktit të interesit.

Tani hetimet janë duke u zhvilluar nga prokurori, Feti Tunuzliu, por ende nuk dihet se çfarë rezultati është arritur deri më tani.